UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 korrik 1993-1998?

 Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
 
 
Foto: Malisheva
 
28 korrik 1993
 
DPA: Prokurori gjerman filloi hetimet kundër kriminelëve serbë të luftës
Agjencia gjermane DPA njofton se “prokurori federativ i Gjermanisë ka filluar ndaj akuzave për krime lufte kundër gjashtë serbëve që tash jetojnë në Gjermani. Sikur njoftohet sot nga zyra e prokurorit federativ në Karlsruhe Bavari, mendon se ekzistojnë “fakte të mjaftueshme” se serbët, emrat e të cilëve nuk janë njoftuar ende, kanë kryer akte gjenocidi kundër myslimanëve në Bosnjë sipas ministrit të Mirëqenies Shoqërore të Bavarisë, Gebhard Gluk, thuhet midis të tjerash në informatën e agjencisë gjermane DPA.
 
 
28 korrik 1994
 
Fëmija gjashtëvjeçar – viktimë e një akti terrorist në rrethinën e Ferizajt
Mbrëmë rreth orës 22,30 në rrugën Rahovicë – Ferizaj nga të shtënat e personave të paidentifikuar në veturën e Bajrush Brestovcit, u vra fëmija gjashtëvjeçar Fidani dhe u plagosën lehtë Bajrushi (1945) e bashkëshortja e tij, Makfirja (1948), që të gjithë nga Prishtina.
Bajrush Brestovci (1945) tha se mbrëmë në orën 19 kishte udhëtuar nga Prishtina për në fshatin Rahovicë e Ferizajt te miqtë. Pas tri orë qëndrimi, bashkë me bashkëshorten dhe djalin, ishin nisur për t’u kthyer në Prishtinë me veturën “golf”, me tagër PR 107 – 508.
– Rreth dy km. jashtë fshatit Rahovicë, me ndriçim të veturës, në anën e majtë të rrugës i pashë tre vetë, njëri prej tyre me unfiformë të rojes së pyllit, ndërsa në anën e djathtë ishin rreth pesë a gjashtë veta. Ata nuk dhanë kurrëfarë shenje, as  shenjën Ndal! Papritmas u dëgjuan krisma arme. Gruaja bërtiti. Ajo ishte qëlluar me dy plumba në pjesën e djathtë të kraharorit. Mua më gërvishi një plumb në dorën e djathtë, ndërsa djali Fidani ishte qëlluar me dy plumba në qafë dhe në tamth, poashtu në anën e djathtë, deklaroi Bajrushi.
Ai tha se kishte vazhduar të voziste i plagosur në një distancë rreth tetë km. derisa ishte ndaluar nga patrulla e policisë serbe. Policia e kishte dërguar familjen në ambulancë në Ferizaj. Edhe pse aty kishte qëndruar vetëm disa minuta, në ambulancë kishte arritur njeriu me uniformën e rojes së pyllit. -Kur i thashë se ty po të njoh, policia e largoi atë, tregon Bajrushi.
Ai tregoi se si gjatë vozitjes deri në spital e kishte pyetur një epror të policisë serbe se kush mund të jetë dorasi i këtij krimi. Eprori ishte përgjegjur se vrasës janë “tanët” (nashi).
Në spitalin e Prishtinës bashkëshortëve Brestovci u është dhënë ndihma e parë mjekësore, ndërsa kufoma e fëmijës është mbajtur për obduksion deri sot në orën 11 kur ajo u soll në familje. Në tamthin e djathtë të kufomës shihej vrima e plumbit.
Makfire Brestovci tha se nuk i ishin hequr të gjitha copat e predhave që e kishin qëlluar në dy vende afër njëri tjetrit në krahun e djathtë.
Një i afërm i Bajrushit tha se në veturën që ka mbetur në Ferizaj shihen vrimat e plumbave dhe xhami i thyer i pasmë i saj.
Bajrush Brestovci ishte i sigurtë se ky është një akt terrorist dhe aktorët e tij mund të gjenden lehtë.
Disa njohës të rrethinës së Ferizajit thanë se vendi ku u shti me armë në veturën e Bajrushit gjendet rreth 2 km. larg fshatit Rahovicë që banohet me shqiptarë dhe rreth 1,5 km larg fshatit Softoviq që banohet me serbë.
Varrimi i Fidanit bëhet sot në orën 16 në varrezat e Prishtinës.
 
 
29 korrik 1995
 
Janë shtuar vrasjet në komunën e Malishevës
Gjatë muajve të fundit, shqetësojnë disa raste të vëllavrasjeve në komunën e Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Kështu më 25 korrik të këtij viti në Jançist të Malishevës, pas një mosmarrëveshje të mëparshme, Muhamet Z. Krasniqi plagosi me disa plumba kushëririn e tij Nazmi Krasniqin, i cili është i shtrirë në spital në gjendje tejet të rëndë shëndetësore.
Njoftohet se ky rast u dha rast policisë serbe që të ndërhyjë në disa familje.
Ditë më parë në Tërpezë të Ulët të Malishevës, dy persona të këtij fshati (emrat e të cilëve nuk janë njoftuar), vranë dy vllezër të këtij fshati, me ç’rast mbetën bonjakë 11 fëmijë.
Po ashtu ditëve të fundit një akt kriminal ndodhi edhe në fshatin Maroli, kur një 45 vjeçar, vrau në sy të kunatës së tij nipin 18 vjeçar.
Ndërsa para pak ditësh në qendër të Malishevës u vra Hamit Thaçi nga një person i Pagarushës.
Këto ditë rëndë u plagos edhe një i ri nga Dragobili nga bashkëfshatari i tij Shefqet A. Paçarizi, si dhe u vra një tjetër nga Shkoza po ashtu nga një bashkëfshatar i tij.
Njoftohet se pothuajse të gjitha rastet e këtyre vrasjeve e plagosjeve janë kryer kryesisht nga motive të ulëta.
 
 
28 korrik 1997
Vazhdon dhuna dhe vrasjet në Shqipëri
 
Zgjedhja e kryetarit të ri, qeverisë së re dhe fillimi i punës së Parlamentit shqiptar, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit, nuk ndalën dhunën dhe vrasjet në Shqipëri.
Që nga fillimi i trazirave, që patën si pikënisje skemat piramidale, në Shqipëri janë vrarë mbi 2000 njerëz, sipas statistikave zyrtare, ndërsa shënimet jozyrtare flasin për një numër së paku edhe për 1000 të vrarë më shumë.
Statistikat e muajve të fundit kanë bërë të ditur për mesatarisht nga 10 veta të vrarë brenda një 24-orëshi, ndërsa kjo shifër ka mbërritur madje edhe deri në 20, duke mos llogaritur tragjeditë e mëdha që morën përnjëherë dhjetëra jeta shqiptarësh.
Një njoftim i djeshëm i Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë bën të ditur për një incident në Lezhë që pati për pasojë vrasjen e pesë vetave e plagosjen e katër të tjerëve.
Katër civilë, tre meshkuj e një grua, që kërkoheshin nga policia, hapën zjarr ndaj policëve në një postbllok, duke vrarë një polic. Policët tjerë pastaj hapën zjarr dhe vranë të katër civilët.
 
28 korrik 1998
Në komunën e Malishevës gjendje gjithnjë e më dramatike
Sot, mbi hapësirën e qytezës së Malishevës kanë fluturuar shumë ulët dy aeroplanë të ushtrisë serbe, ndërsa popullata në Malishevë dhe në fshatrat përreth po jetyon në ankth në pritje të sulmeve të paralajëmruara të forcave serbe.
Ka njoftime se shumë njerëz po largohen nga fshatrat e veta. Në komunën e Malishevës janë vendosutr ditëve të fundit edhe mijëra banorë nga komuna e Rahovecit.
Aktivistët e LDK-së në Malishevë i thanë QIK-ut se kjo komunë është praktikisht e rrethuar nga të gjitha anët dhe në rast të sulmeve serbe, këtu mund të ndodhë një tragjedi e vërtetë.
Në Malishevë është ndërprerë rrjeti elektrik. Pritet në çdo moment edhe ndërprerja e rrjetit telefonik dhe kështu ekziston rreziku i ndërprerjes së informacioneve për të ditur se ç’po ngjet me fatin e banorëve shqiptarë në këtë komunë.
Gjendja veçanërisht e rrezikshme është në fshatrat që gjenden përreth postbllokut të policisë serbe në Kijevë të Malishevës.
Nga pasojat e granatimeve të forcave serbe që kanë ndodhur mbrëmë, janë djegë fshatra të tëra e sidomos Mleçani, Llazica e Bubaveci, ndërsa tymi e flaka po shihet edhe në fshatin Carrallukë.

Exit mobile version