Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: “The Washington Post”
27 korrik 1993
“The Washington Post”: Spastrimi etnik në Kosovë do të shaktojë konflik në rajon
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Evropa i urdhëruan vëzhguesit e të drejtave të njeriut që të lëshojnë Kosovën, shkruan gazeta e njohur amerikane “The Washington Post”.
Pasi përshkruan arsyen e vendosjes së këtyre vëzhguesve në Kosovë dhe vendimin e kryetarit serb Slobodan Millosheviq, për përzënien e tyre, gazeta konstaton se “prej dhjetëra vëzhguesve, të cilët gjendeshin në Kosovë, para një viti, tani kanë mbetur më pak se tetë, duke përfshirë edhe një amerikan”.
Tërheqja e vëzhguesve ndërkombëtarë nga Kosova gazeta “The Washington Post” e konsideron “flakareshë për politikën e kufizimit të luftës të presidentit Klinton”. Të paaftë për të ndalur luftën në Bosnjë, amerikanët thonë se prioriteti i tyre është parandalimi i përhapjes së luftës në regjionet e tjera, siç është Kosova, me ç’rast lufta mund të përfshijë maqedoninë, Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë dhe kështu do të shaktohej një luftë e gjerë regjionale. Administrata e Klintonit ka premtuar se në rastë të përhapjes së luftës në këtë rajon do të intervenojë me forcë, shkruan gazeta.
Një zyrtar i Stejt Departamentit Amerikan tha: “Të gjithë frikësohen se spastrimi etnik në Kosovë do të shaktojë konfliktin jashtë kufinjve të saj”.
Liderët e Kosovës, shkruan kjo gazetë, thonë se “presioni mbi popullsinë myslimane është shumë më subtil se sa vrasjet dhe dhunimet në Bosnjë. Mirëpo, kërcënimet edhe ashtu i kanë shtyer dhjetëra mijëra shqiptarë myslimanë që ta braktisin Kosovën”.
Fuqive perëndimore, si duket, u kanë mbetur shumë pak mundësi për frenimin e Serbisë. Ky vend tani më gjendet nën sanksione të ashpra ekonomike, kurse “ndërprereja e marrëdhineve diplomatike do të zvogëlonte mundësitë për vëzhgimin e krimeve”, shkruan gazeta “The Washington Post”.
27 korrik 1994
Represioni në Kosovë
Podujevë: – Këto ditë në fshatin Orllan, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Rexhep dhe Jahir Rexhepit, kurse në shtëpinë e Mehmet Ademit u gjet një armë. Policia armë kërkoi edhe nga Shefki Beka, si dhe kërkuan djalin e tij i cili tash një kohë gjendet në arrati.
Njoftohet se policia kërkoi për të dorëzuar një pushkë edhe nga Mehmet Salihu, ndërsa shtëpia iu bastis edhe Halit Islamit, me ç’rast policia keqtrajtoi gruan e tij. Njoftohet se policia keqtrajtoi edhe Pajazit Islamin i cili u keqtrajtua fizikisht.
Të gjithë të lartëshënuarit u rrahën të nesërmen në postkomandën e policisë në Orllan.
Më 21 korrik, në fshatin Orllan, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe shtëpinë e Hasan Hajdarit, i cili punon përkohësisht në Gjermani. Policia gjatë bastisjes ia konfiskoi pasaportën Hasanit dhe bashkëshortes së tij.
Më 22 korrik, poklicia bastisi shtëpinë e Beqir Musës, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Orllan. Nga Beqir Musa policia kërkoi një revole. Pas bastisjes, policia mori me vete Beqir Musën, i cili në u rrah brutalisht dhe u lirua me kusht që të paraqitet sërish pardje në polici.
Më 24 korrik rreth orës 9:00, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Hasan Berishës, me ç’rast u arrestua Naser Berisha (18).
Gllogovc: – Më 23 korrik, derisa ishte duke pritur trenin në stacionin hekurudhor në Fushë-Kosovë, policia pa kurrfarë shkaku arrestoi Rrahim M.Sadikun nga Gllogovci, i cili u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Fushë-Kosovë.
Po këtë ditë rreth orës 17:00, policia bastisi shtëpitë e Haxhi, Jakup e Jetish Morinës në fshatin Arllat të Gllogovcit. Policia gjatë bastisjes, në prani të anëtarëve të familjes rrahu Hajdin Morinën.
Më 22 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Feriz, Ramadan e Nazmi Bytyçit në fshatin Arllat.
Ferizaj: – Dje rreth orës 11:00, policia serbe arrestoi Avni Rexhepin (12) dhe nënën e tij Emine Rexhepin, të cilët u dërguan në stacionin e policisë në Ferizaj. Policia arrestoi nënë e bir, nën pretekst se Shaipi ka thyer xhamin e shkollës së okupuar “Kuvedi i Arbërit”. Njoftohet se policia keqtrajtoi rëndë dymbëdhjetë vjeçarin Avni Rexhepin.
Vushtrri: – Më 24 e 25 korrik, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpinë e Jahir dhe Ismet Malokut në Vushtrri. Meqë policia nuk gjeti asgjë nga armët e kërkuara, ata u kërcënuan se do të kthehen sërish për t’i bastisur.
Malishevë: – Pardje, rreth orës 1 pas mesnate, policia e Rahovecit pasi nuk e gjeti në shtëpinë e tij në Shkozë, arrestoi në shtëpinë e një miku të tij në Mirushë të Malishevës të riun Sylejman Bytyçin (20). Ky i ri u dërgua në stacionin e policisë në Rahovec, ndërsa më pas në Prizren.
Njoftohet se Sylejman Bytyçi u arrestua nën prtetekst të dorëzimit të armëve.
Dje, policia arrestoi Ruzhdi Kryeziun dhe Rrahman Pagarushën në Pagarushë të Rahovecit. Policia arrestoi Ruzhdi Kryeziun nën pretekst se ai merret me shitblerjen e armëve.
Më 21 korrik, në postkomandën e Kijevës u rrah rëndë plaku 72 vjeçar Xheladin Krasniqi nga Drenoci i Malishevës. Ai u lirua me kusht që të paraqitet sërish në polici.
27 korrik 1995
Xhems Moran: Kosova granatë e gatshme për të shpërthyer
Senati Amerikan vendosi dje në favor të heqjes së embargos së armëve ndaj BH-së, ndërsa zëvendësdemokrati Xhems Moran shfaqi shqetësimin e tij lidhur me gjendjen në Kosovë.
Ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, shfaqi shqetësimin se lufta mund të përhapet edhe në Kosovë.
Kosova tha ai është një granatë gati për të shpërthyer. Nuk mund të vazhdojë një gjendje ku gati 95 për qind e popullsisë i nënshtrohet një shtypjeje të rreptë policore dhe sundohet nga më pak se 5 për qind e popullatës, tha ai.
Deputeti amerikan, i cili kohëve të fundit vizitoi disa vende të Ballkanit duke përfshirë Shqipërinë e Kosovën, tha se nuk ka gjasa që çështja e shqiptare në ish-Jugosllavi të zgjidhet së shpejti. Ai tha se dikatorët si Sllobodan Milosheviqi përdorin çështjet e tilla për ta ruajtur pushtetin.
Deputeti Moran tha se ka shumë të ngjarë që lufta të përhapet në jug duke përfshirë edhe disa vende ballkanike.
E vetmja arsye që lufta nuk është përhpaur në Maqedoni e në Kosovë, tha ai, se serbët kanë qenë tepër të zënë me çështjen e Bosnjës. Por, pasi ta mposhtin Bosnjën, mendoj se ata do të vazhdojnë në zonat tjera të Ballkanit me qëllim që të krijojnë Serbinë e madhe, theksoi deputeti amerikan.
Z.Moran tha gjithashtu se vetëm Kroacia mund t’ia ndalë hovin Serbisë. Ai parashikoi se Serbia e Kroacia më në fund do të hyjnë në luftë, dhe se shpreson që Gjermania do t’i vijë në ndihmë Kroacisë. Deputeti Moran tha se Serbisë duhet t’i tregohet ku e ka vendin, për asrye se synimet e saj ndaj fqinjëve janë tejet keqdashëse, njofton gazeta “Bujku”.
27 korrik 1997
Adelina Ismajli mori pjesë në spektaklin “Miss Globi” në Turqi
Mbrëmë Televizioni turk ATV transmetoi drejtpërdrejt spektaklin e zgjedhjes Miss Glob. Në konkurencë morën pjesë përfaqësueset e 40 vendeve të ndryshme nga bota: SHBA, Gjermania, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Italia, Spanja, Brazili, Çekia, Sllovakia, Lituania, Estonia, Kirgizistani, Turkmenia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Malajzia, Kolumbia, Afrika e Jugut, Greqia e tjerë.
Në mesin e 40 konkurenteve ishte edhe Adelina Ismajli, ylli i muzikës shqiptare argëtuese në Kosovë dhe “Miss Kosovarja 97”. Ajo mbante shiritin “Albania”, por në vetëprezentim, e reja prishtinase theksoi se është nga Republika e Kosovës.
Miss Globi u zgjodh përfaqësuesja e Çekisë.
27 korrik 1998
Vazhdojnë sulmet në Bllacë e Duhël të Suharekës
Prishtinë, 27 korrik (QIK)
Në fshatrat e komunës së Suhaarekës edhe sot gjendja është shumë e rëndë. Forcat serbe, nga tridhjetë tanke kanë granatuar gjatë natës dhe sot fshatrat Bllacë e Duhël.
KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se sulmit të ashpër të forcave serbe po i kundërvihen forcat mbrojtëse të UÇK-së. Nga granatimet janë djegur lagjet Bajraktari dhe Suka në Bllacë, ndërsa forcat serbe janë pozicionuar në afërsi të shkollës së fshatit.
Problem në vete në fshatrat e sulmuara dhe në fshatrat tjera paraqesin dezinformatat e shumta të njerëzve të papërgjegjësi, të cilat po ndikojnë në zhvendosjen dhe në lëvizjen e madhe të popullsisë.
U bëhet apel banorëve të këtyre fshatrave që të mos bien nën ndikimin e tyre dhe të mos i lëshojnë shtëpitë pa nevojë.
Sulme masive në Drenicë: U sulmuan fshatrat Llaushë, Klinë, Runik, Leçinë, Padalishtë, Çitak e Suhagërllë
Në komunën e Skënderajt, luftimet vazhdojnë me intensitet të shtuar. Dje gjatë gjithë ditës është granatuar me qindra granata Llausha. Forcat serbe kanë tentuar të hyjnë në fshat.
Forcat e UÇK iu kundërvunë këtij aksioni.
Gjendja e tillë vazhdon edhe sot në Llaushë. Nuk dihet të ketë viktima.
N Klinën e Poshtme, atë të Mesmen dhe në Klinën e Epërme janë vrarë nga granatimet dy gra dhe një plak: Sali Duraku dhe Azize Hajdini (Mala) (1953) nënë e 5 fëmijëve. Emri i viktimës së tretë nuk dihet. Viktimat janë varrosur dje nën breshërinë e granatimeve
Në Runik e fshatrat përreth pati mbrëmë dhe sot luftime të intenzitetit të rritur. Policia hyri në dy fshatra. Në Kotorrk dogji grunajat dhe rrëmbeu Beqir Hajrizin (62), Azem Hajrizin (35), djalin e Beqirit dhe Fidaim Hajrizin (25) djalin e Beqirit, ndërsa në fshatin Radishevë rrëmbeu Shaip Selmanin (45) dhe Nazim Ahmetit (27).
Për fatin e tyre as sot nuk dihet.
Sot po granatohet pandërprerë dhe Leçina, Padalishta, Çitaku, Suhagërlla dhe fshatrat përreth.
Forcat serbe dogjën gjithë arat me grurë që prisnin korrje-shirjen.
Në Skënderaj është gjendje e nderë. Nuk mund të hyhet as të dilet. Forcat serbe përforcohen vazhdimisht.
Nga komuna e Klinës ka lajme trishtuese. Armiku dogji vrau e plagosi çdo gjë para vetes. Siç deklaron sot Sadri Boja nga Kerrnica, forcat serbe hynë në fshatin e boshatisur dhe dogjën shtëpitë e Dr. Rexhep Bojës, Sadri Bojës, Hajriz, Brahim, Bajram, Rushit, Rrahman, Imer, Cenë të gjithë të lagjes Boja dhe Isuf Berishës, Bajram Oruçit, Zeqir Berishës, Hamdi, Ali e Nezir Doçit.
U dogj edhe shkolla fillore e fshatit dhe u lëndua Besim Boja (26).
Sot dëgjohen granatimet me armë artilerike kalibrash të ndyshëm në shumë fshatra të kësaj komune, si në Dollc, Gllarevë, Cerovikë, Stapanicë etj.
Gjakovë: Policia serbe solli në morgun e spitalit 7 trupa pa jetë
Sot rreth orës 18:00 policia serbe solli në morgun e spitalit të qytetit në Gjakovë 7 trupa pa jetë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Për shkak të bllokimit të objektit të siptalit, tash për tash, është e pamundur të sigurohen të dhëna të tjera për ta.
