Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Shtëpia shkollë te Herticët në Kodër të Trimave në Prishtinë
22 qershor 1993
Valë e re represioni mbi shkollat shqipe në Kosovë
Këto ditë, pas përfundimit të suksesshëm të vitit shkollor, drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme dhe udhëheqjet nëpër fakultetet e Universitetit të Prishtinës, po bëjnë regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme dhe i studentëve në fakultete.
Krahas këtyre punëve përgatitore për fillimin sa më të mbarë të vitit të ardhshëm shkollor, policia serbe intensifikoi dhunën kundër shkollës shqipe, me qëllim konfiskimit të dokumentacionit të shkollave lidhur me punën e deritashme dhe të pengimit të regjistrimit të nxënësve e studentëve. Njoftohet për konfiskim të diplomave, çertifikatave e dokumentacionit të ndryshëm pedagogjik anë mbanë Kosovës.
Kështu, gjatë ditës së djeshme, një numër i madh forcash policore serbe, ishin nëpër shkollat fillore të Pejës dhe të Klinës, me ç’rast konfiskuan ditarë, dëftesa, vula, diploma etj., ndërsa në disa shkolla thyenë edhe inventarin. Në shkollën fillore të Jabllanicës së Vogël të Pejës, një grup policësh serbë, i kërkuan vulat dhe dëftesat. Policët në sallën e arsimtarëve dhe i dëmtuan disa fotografi, pastaj bastisën zyrën e drejtorit. U rrahën drejtori Gani Ramaj dhe arsimtarët, Hajdar Mujaj, Qazim Zekaj dhe Ramadan Zekaj.
Policia serbe ishte pardje në Shkollën fillore “Rilindja” në Tërstenik. Policët morën në të ashtuquajturën bisedë informative, që zgjati katër orë, Metë Shalën, drejtor i shkollës dhe disa arsimtarë të kësaj shkolle. Veç kësaj, Metë Shalën e morën me vete në stacionin e policisë në Pejë dhe e mbajtën atje disa orë. Edhe dje rreth orës 11.30, në këtë shkollë ishin tre policë serbë të postkomandës së Kliçinës, të cilët kërkuan ditarët e punës. Meqë nuk arritën t’i marrin, ata kërkuan përforcime të reja policore nga Peja dhe pas pak minutash arritën edhe dy automjete përplot policë, të cilët hynë në zyrën e drejtorit të kësaj shkolle dhe konfiskuan tërë dokumentacionin.
Edhe në shkollën fillore “Naum Veçilharxhi” të Kliçinës, policët serbë kërkuan dëftesat e klasave të teta si dhe vulat e shkollës.
Në këtë mënyrë policia serbe veproi edhe në shkollën filore “Zef Serembe” të Gllaviçicës, me ç’rast i konfiskuan nëntë dëftesa dhe pesë ditarë.
Policia konfiskoi dokumentacionin edhe në Shkollën fillore “Haxhi Zeka” në Zahaç. Në zyrën e drejtorit të kësaj shkolle i konfiskuan 16 ditarë.
Ditarët u konfiskuan edhe në shkollat fillore “Ali Kelmendi” të Nabërgjanit dhe në atë të Ozdrimit, Novosellës etj.
Valë e njëjtë represioni po bëhet edhe ndaj shkollave shqipe në komunën e Klinës.
Dje, rreth orës 9, policia serbe hyri në shkollën fillore “Azem Bejta” të Grabanicës, e cila kërkoi drejtorin e kësaj shkolle, Selman Etemin dhe pasi atë nuk e gjetën aty, ia lanë ftesën që të lajmërohet në stacionin e policisë në Klinë.
Po ashtu dje, tre policë serbë ishin edhe në shkollën fillore “Zenel Hajdini” të Ujmirit, të cilët i detyruan nxënësit të mbështeten për një kohë të gjatë për muri një, me ç’rast edhe i fyen në baza kombëtare. Së bashku me filloristët ishin edhe nxënësit e shkolles së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, punkti i së cilës është në këtë shkollë.
Ndërsa në komunën e Suharekës organi u dhunshëm i shkollës së mesme në Suharekë, dje ndaloi regjistrimin e nxënësve në shkollën e mesme në objektin Nr.2, ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe. Në këtë objekt shkollor, dje ishte një patrullë e policisë dhe u interesua për regjistrimin dhe kushtet në të cilat bëhet ai.
Represion i këtillë ndaj shkollave shqipe nga ana e policisë serbe, po ushtrohet edhe në komunën e Lipjanit. Dje, policia serbe ndërhyri edhe në punktin e shkollës së mesme në fshatin Banullë, me ç’rast konfiskoi vulën e shkollës, disa dëftesa shkollore, ndërsa drejtorin e kësaj shkolle e urdhëroi që ta dorëzoi tërë dokumentacionin pedagogjik, si dhe të paraqitet në stacionin e policisë në Lipjan në ora 13.
Gjithashtu dje në Prishtinë, policia serbe pengoi regjistrimin e nxënësve në Gjimnazin Filologjik në Prishtinë.
Ndërsa në Prizren, sot për herë të tretë brenda tri ditësh, u muar në bisedë informative Tafil Hoxha, kryetar i Degës së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Prizren. Sot u mbajt në polici prej orës 9,30 min deri në orën 12,15 min. Policia interesohet për përfundimin e vitit shkollor, për shpërndarjen e dokumentacionit pedagogjik dhe për çështje që lidhen me funksionimin e sistemit të arsimit.
Dhuna e policisë i ka përfshirë edhe shumicën e shkollave në Gjakovë.
Drejtori i shkollës fillore “Remzi Pula” në Deblibare është marrë në bisedë informative pardje dhe dje. Janë marrë vulat e shkollës.
Dje është mbajtur në polici arsimtari Gjokë Quni i të njëjtit fshat, e ai është marrë në polici edhe sot.
Sot u pengua regjistrimi i nxënësve në të gjitha shkollat e mesme të Gjakovës. Në shkollën e mesme teknike është konfiskuar dokumentacioni i regjistrimit.
Është arrestuar Ilaz Daia, drejtor i shkollës fillore “Mustafa Bakia”, ndërsa “Mazllom Këpuska” ëstë kërkuar drejtori dhe janë marrë vulat e shkollës. Është arrestuar Salim Bytyqi, drejtor i
shkollës fillore “Zekeria Rexha” dhe sekretari Hajdar Saraqini. Është arrestuar edhe sekretari i shkollës fillore “Gani Xharra”, zëvendësdrejtori i shkollës “Fan Noli” në Dujakë, Halit Jusufi, drejtor i shkollës “Avni Rrustemi” në Bec, ndërsa policia ka bastisur edhe shkollën “Ukshin Miftari” në Skivjan.
22 qershor 1994
Senati Amerikan rekomandoi një ndihmë prej 8 milionë dollarësh për Kosovën
Senatori Alfonse D`Amato njoftoi javën e kaluar se Nënkomisioni i Operacioneve të Ndihmave (vendeve) të Jashtme ka rekomanduar një ndihmë humanitare në shumë prej 8 milionë dollarësh për Kosovën.
Aflonse D`Amato, anëtar i vjetër i nënkomisionit, ndihmën për Kosovën e inkuadroi në pjesën e Operacioneve për Ndihma vendeve të Jashtme për vitin fiskal 1995. Paratë nga kjo ndihmë do të shpërndahen si ndihmë përmes zyrës, të ashtuquajtur Zyrë e SHBA-ve për Ndihmë në Fatkeqësi.
“Populli i Kosovës, i sulmuar brutalisht nga ushtria serbe që ka bërë gjenocid nën kontrollin e Kasapit nga Beogradi, Milosheviq, duhet ta dijë se bota nuk e ka harruar Kosovën. Me këtë fond do të sigurohet ndihma aq e nevojshme për blerje të ushqimit, ilaçeve dhe nevojave më elementare që do të shpëtonin jetën e fëmijëve dhe të nënave të pafajshme”, tha D`Amato.
Gjatë dy vjetëve të fundit senatori D`Amato ka kontribuuar shumë në sigurimin e 15 milionë dollarëve ndihmë për Kosovën.
Këto para janë shfrytëzuar për blerjen e ushqimeve, për vaksinimin e popullsisë dhe sigurimin e ilaçeve shëndetësore për dhjetëra mijëra banorë të Kosovës. Kjo ndihmë është shpërndarë nga grupe dhe organizata bamirëse humanitare.
Pritet që prjektligjin Ndihmat Vendeve të jashtme ta miratojë së shpejti edhe Komisioni i Ndihmave, në përbërje të plotë.
Më pas për projektligjin do të votojë Senati Amerikan në përbërje të plotë, e pasi të kalojë votimin në Senat, projektligji do të dërgohet në konferencën e përbashkët të Kongresit, përkatësisht Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Projektligji ka shumë gjasë të miratohet, sepse është në të njëjtën pako me të të ashtuquajturin projektligj për autorizim të Ndihmës së Jashtme, të cilën SHBA ua japin çdo vit vendeve të ndryshme të botës.
Projektligjin për ndihmë Kosovës e mbështetën senatorët Bob Dol, lider i republikanëve, Claiborne Pell, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Denis De Concini, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinktit të Kongresit Amerikan, dhe senatori Joseph Lieberman.
Para se atë ta nënshkruajë presidenti Bill Klinton, kur edhe bëhet ligj, projetkligji përfundimtar duhet të miratohet me shumicë votash në Kongres, përkatësisht në dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Është kjo hera e tretë që SHBA japin ndihmë Kosovës sipas programit të ndihmave shteteve të jashtme.
Me rastin e miratimit të ndihmës së parë, para dy vjetësh, atëbotë senatori Claiborne Pell pat deklaruar se “me një akt të tillë ua bëjmë me dije të gjithëve se SHBA njohin subjektivitetin e Kosovës”.
22 qershor 1995
Pala shqiptare insistoi për shkollimin universitar shqip në Maqedoni
Sipas kumtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, në Shkup pardje e dje u mbajt një takim ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përfshirë këtu edhe ministrin e Drejtësisë Popovski dhe atë të Arsimit e Kulturës Fizike – Simovska dhe anëtarëve të partive shqiptare të përfaqësuara në Parlament: Xheladin Murati, Mevlan Tahiri, Sami Ibrahimi dhe Arbën Xhaferi.
Në takim mori pjesë edhe ambasadori Gert Arens.
Siç njofton “Bujku” grupi shqyrtoi çështjet që kanë të bëjnë me arsimimin e lartë.
Ministrja Simovska shpjegoi propozimligjin për arsimin e lartë dhe mundësitë e parapara për përgatitjen e pedagogëve për shkollat fillore dhe të mesme, me mësim në gjuhën shqipe. Ajo foli edhe lidhur me themelimin e institucioneve të larta shkollore publike ashtu edhe private.
Ndërsa të gjithë pjesëmarrësit shqiptarë insistuan në shkollimin universitar në gjuhën amtare.
Grupi u përpoq të gjejë zgjidhje në kuadër të kushtetutës dhe ligjeve të RM dhe për disa aspekte të propozimligjit për vetdministrim lokal. U bisedua edhe për disa probleme praktike lidhur me hartimin e ligjit të shtetësisë, thuhet në kumtesën e Minsitrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
“Bujku” njofton se përfaqësuesit e Qeverisë së Maqedonisë nuk kanë treguar gatishmëri për hapjen e një universiteti shqip në Maqedoni. Ata kanë propozuar forma të tjera të arsimimit superior.
Njoftohet se është biseduar edhe për themelimin e një universiteti në tri gjuhë, që do të financohej nga jashtë.
Nuk është arritur marrëveshje rreth zyrtarizimit të gjuhës shqipe sidomos në komunat ku nuk ka shumica shqiptare, e janë përmendur ajo e Kërçovës, Strugës, Dibrës dhe e Çairit të Shkupit. Bisedimet priten të vazhdojnë në fillim të muajit të ardhshëm, njofton gazeta e sotme “Bujku”.
22 qershor 1998
Deçan: S’dihet për fatin e 200 të zhdukurve dhe 10 të zënëve peng
Sot në komunën e Deçanit pati vetëm të shtëna sporadike nga armë të lehta të luftës përgjatë vijës magjistrale Pejë-Deçan, thuhet në një raport nga Deçani.
Në raport përkujtohet se është karakteristikë se granatimet e fshatrave po bëhen gjithmonë në orët e pasditës dhe duket se kjo po bëhet që të bëhet zbrazja e fshatrave.
Në komunën e Deçanit ende nuk dihet për fatin e mëse 200 të zhdukurve dhe 10 të tjerëve që u zunë peng, ndërsa në fshatrat e boshatisura ende po vazhdojnë plaçkitjet e pasurisë së qytetarëve. Po vidhen që nga bagëtia deri në imtësitë më të vogla shtëpiake.
Gjithashtu, janë evidente edhe djegiet e shtëpive, dukuri që është bërë tash pothuaj përditshmëri.
Në Isniq sot u mbajt mbledhja e të gjitha strukturave shoqëroro-politike të komunës, në të cilën u diskutua për gjendjen e krijuar në komunën e Deçanit. Në mbledhje përveç për situatën politike, të informimit etj. , u fol sidomos për gjendjen e rëndë humanitare që mbretëron në këtë komunë. U theksua se një pjesë e fshatrave që nga fillimi i krizës dhe situatës së luftës nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
Në këtë mbledhje u vendos që nga Këshilli Republikan i Emergjencës të kërkohet që ndihmat e ndara të shpërndahen përmes Këshillit Komunal të Emergjencës i cili u përtri me disa anëtarë të rinj. Gjithashtu u theksua se Këshilli Komunal i Emergjencës deri tash ka pranuar vetëm 10. 000 marka nga Dega e LDK-së në Gjermani, ndërsa ndihmat tjera nuk i kanë arritur as nga Këshilli Republikan për Emergjencë e as nga Këshilli Republikan për Financim.
Në këtë mbledhje u vendos që t’u ndihmohet fshatrave që mbajnë të ikurit nga lufta, forcave mbrojtëse të UÇK-së, institucioneve shtetërore, shëndetësore, shkollave dhe kuadrove shkollore, komisionit për informim dhe sektorit të Bujqësisë.
Në mbledhje gjithashtu u vendos që aktiviteti politik dhe institucional të vazhdohet edhe më tutje në funksion të shtetësisë së Kosovës.
