UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 20 shtator 1993-1998

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

 

20 shtator 1993

 

U plaçkitën dhe u burgosën tre të rinj

 

Këto ditë, duke udhëtuar nga Shkupi për në Mitrovicë, policia serbe ndali në Kaçanik të rinjtë Enver Hasanin (19), Arsim Mehmetin (22) dhe Xhavit Stojkun (32), të cilët punojnë në Republikën e Kroacisë si bukëpjekës. Pas legjitimimit, policia i arrestoi këta tre të rinjë dhe i dërgoi në Pirot e më pas në Leskovc ku qëndruan në burgun e Leskovcit plot 22 ditë.

Komisioni për Informim i LDK-së së Mitrovicës, njofton se këtyre tre të rinjve, policët ua kanë grisur pasaportat dhe ua ka plaçkitur 2.000 marka gjermane. Enver Hasanin edhe pas daljes nga burgu i Leskovcit, policia serbe e ka kërkuar disa herë në shtëpi.

 

 

20 shtator 1994

 

Në komunën e Vitisë vazhdojnë bastisjet nën pretekst të kërkimit të armëve

 

Më 16 shtator, dy policë serbë kërkuan dhe morën një revole nga Hamit Ramadani në fshatin Gjylekarë të Vitisë.

Po këtë ditë në fshatin Beguncë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve mori Emrush Rexhepin, i cili u mbajt tërë ditën në stacionin e policisë në Viti.

Më 17 shtator, policia kërkoi që të dorëzoi një revole dhe një automatik nga Beshir Shabani nga fshati Ramnishtë i Vitisë.

Të njëtën ditë, policia kërkoi që të dorëzoi një pushkë edhe nga Sahit Hyseni në fshatin Tërpezë të Vitisë, të cilën kinse ia paskësh lënë trashëgim babai i tij Hysen Tërpeza, i cili është në migrim nga viti 1945.

Po këtë ditë rreth orës 10:00, policia serbe ua la thirrjet që të paraqitet të nesërmen në polici edhe Muhamet e Enver Islamit në fshatin Lybishtë të Vitisë.

Personat e lartshënuar në stacionin e policisë u mbajtën rreth shtatë orë, të cilët gjatë kohës sa qëndruan në polici nuk i mori në pyetje askush. Pas kësaj kohe erdhi polici i quajtur Stanko nga Ramnishta, i cili i keqtrajtoi brutalisht.

Njoftohet se Enver Islami u lirua me kusht që të paraqitet sërish pasnesër në polici.

 

 

20 shtator 1995

 

Plaçkitje të mëdha në tregjet e Kosovës

 

Policia serbe ka plaçkitur ditëve të fundit tregtarët shqiptarë anembanë Kosovës.

Këto plaçkitje pasuan njoftimet e shtypit serb për mungesat e shumta të ushqimeve e veshmbathjeve për kolonistët serbë në Kosovë, të cilët, në disa qytete, për shkak të pakënaqësisë, protestuan kundër administratës së instaluar serbe.

Për të neutralizuar pakënaqësitë e kolonëve serbë, policia organizoi ditëve të fundit një fushatë jashtëzakonisht të egër plaçkitjeje e dhune nëpër tregjet e Kosovës.

Më parë ishin plaçkitur tregjet në Prizren, Malishevë, etj.,

Ndërsa dje grupe të mëdha policësh bllokuan tregtarët shqiptarë në tri tregje duke plaçkitur çdo gjë.

Me qëllim që të policia të jetë sa më efikase, tregtarëve nuk iu dha asnjë dëshmi a vërtetim për mallin e plaçkitur.

Nga tregjet njoftohet se tregtarëve u është marrë mall në vlerë disa mijëra marka gjermane.

Një tregtar shqiptar i deklaroi QIK-ut se, përkundër faktit se e kishte tërë dokumentacionin në rregull, policia ia plaçkiti një sasi të madhe të trangujve, në vlerë prej 6.000 DM.

Veç që plaçkiti sasi të madhe të mallit, policia serbe ndaloi dhe kontrolloi shumë kalimtarë të rastit dhe prej tyre plaçkiti deviza.

Pas plaçkitjes në tregje, policia serbe organizoi një fushatë plaçkitjeje nëpër dyqanet e shqiptarëve në Prishtinë. Ata, pa përjashtim, u plaçkitën me gjobitje nga 1 mijë dinarë.

Disa tregtarë thanë se në këtë aksion janë inkuadruar edhe përforcime nga Beogradi e komunat tjera të Serbisë.

Një aksion i ngjashëm u ndërmor dje edhe në Podujevë.

Vlerësohet se u plaçkit mall në vlerë prej rreth 8.100 markave gjermane dhe 1.500 dinarë.

Tregtarët shqiptarë thonë se po u pamundësohet puna. Ata thanë se paguajnë për mallin në doganë, plaçkiten nga policia serbe derisa arrijnë në treg, ndërsa në treg ata plaçkiten sërish nga policia që merr mallin që i pëlqen, nga inspektorët që caktojnë shumë të lartë për taksë, si edhe nga nga aksionet masive plaçkitëse.

Plaçkitjet e fundit tensionojnë edhe më shumë gjendjen për shkak se ato po bëhen për shkak të kolonëve.

 

 

20 shtator 1997

 

Policia serbe keqtrajtoi aktorët e Teatrit “Drenica” të Skënderajt

 

Pardje rreth orës 15:00, në afërsi të kroit të Suhadollit të Mitrovicës, një ekspeditë e përbërë prej rreth 16 policësh serbë, ndali dhe keqtrajtoi fizikisht aktorët e Teatrit amator “Drenica” të Skënderajt dhe korrespodentin e të përditshmes “Koha ditore”, derisa ata po udhëtonin për të xhiruar një insert filmi, njofton KI i Degës së LDK-së në Skënderaj.

Njoftohet se policia ka keqtrajtuar Beqir Beqirin, Ramadan Dobrën, Xhavit Nurajn, Ahmet Deliun, Gani Mëziun, Ibrahim Tuplen, Gani Hasanin, Izet Istrefin, Fadil Deliun dhe Faton Hamitin, korrespodent i “KD-së” nga Skënderaj.

Aktorët e Teatrit të Skënderajt në fillim u keqtrajtuan para kafenesë “Llapa” dhe prej aty u dërguan në stacionin e policisë në Mitrovicë ku u mbajtën rreth 5 orë dhe u keqtrajtuan sërish.

Ndër më të keqtrajtuarit ishte korrespodenti i “KD-së”, Faton Hamiti, i cili u pyet rreth shkrimeve të tij dhe për sulmet e fundit që ndodhën në objektet e policisë serbe në Kosovë.

Pas lirimit të tyre në orën 19:00, ata u urdhëruan që të paraqiten sërish në polici.

Bëhet e ditur se ata kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe që të gjithë kërkuan ndihmën e mjekut.

 

 

20 shtator 1998

 

Pesë të masakruar në Kaçanoll dhe 19 shtëpi të djegura

 

Në Kaçanoll forcat serbe kanë vrarë e masakruar Fetah Sefer Behramin (55), djalin e tij Jasharin (29), Ilaz Bali Hysenin (82), Mihane Ramë Hysenin (75) dhe Elez Begun (55).

Varrimi i viktimave të agresionit serb u bë dje në Kaçanoll në orën 18:00.

Në këtë fshat janë djegur e shkatërruar shtëpitë e Ilaz Sefer Hysenit, Sefer Hysenit, Bilall Hysenit, Bali Hysenit, Ruzhdi Ilaz Hysenit, Idriz Ilaz Hysenit, Rrahman Ajet Hysenit, Jakup Brahim Behramit, Shefqet Hasan Behramit, Ramadan Sefer Behramit, Imer Selim Hysenit, Rexhep Qamil Hysenit, Bislim Avdyl Hysenit, Muhamet Ajet Hysenit, Selman Lah Hysenit, Fazli Ajvaz Hysenit e Elez Begut si edhe shtëpia e Zeqir Behram Begut, që gjendet në mes të fshatarve Dobratin e Kaçanoll. Nga ky fshat konsiderohet si i zhdukur edhe Ramadan Behrami.

Fshati Kaçanoll është një fshat malor që kishte gjithsej 55 shtëpi. Pas operacioneve serbe, në fshat nuk kanë mbetur më shumë se dhjetë njerëz.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Podujevë, që qëndruan dje pasdreke në Kaçanoll, e përshkruajtën gjendjen në fshat të tmerrshme. Ata thanë se të pesë viktimat e terrorit serb ishin masakruar.

Për gjatë rrugë malore prej Dobratinit deri në Kaçanoll, si edhe në vetë fshatin, kishte me mija gëzhoja të predhave.

Aktivistët e Degës së LDK-së në Podujevë kishin arrtitur dje apsdrejke deri në afërsi të Bajgorës. Ata kishin marrë vesh se në këtë fshat janë djegë lagjet e Musajve, Istrefajve dhe Mehmetajve.

 

 

Gllogoc: Dje në Polluzhë janë vrarë së paku 7 policë serbë

 

Dje rreth orës 13:00, në lagjen Kastrati në Polluzhë të Gllogocit, njësiti ushtarak i brigadës 113 i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërmori një aksion të suksesshëm dhe vrau së paku 7 policë serbë dhe shkatërroi një autoblindë, njofton NKMDLNJ në Gllogoc.

Njoftohet se në këtë lagje, koh më parë janë stacionuar forca të mëdha të policisë serbe, ndërsa dje pas sulmit të brigadës së UÇK-së, forcat serbe morën arratinë.

 

Podujevë: U identifikuan dy nga gjashtë të djegurit në Lepajë

 

Banorët e lagjes Lepaja, në mes fshatrave Bajçinë e Dobratin, gjetën sot në gërmadhat e shtëpive të djegura eshtrat e së paku gjashtë shqiptarëve, viktima të aksionit të forcave serbe në mes të martës e të premtes.

Eshtrat e kufomave u gjetën në tri shtëpi, afër vendpërqendrimit të forcave serbe. Supozohet se ato janë djegur në përfundim të aksionit të forcave serbe, të enjten pasdreke.

Në odën e Fehmi Rekaliut gjenden vetëm një pjesë e pakët e eshtrave të tri kufomave. Kulmi, dera dhe dritarja e odës në fillim të oborrit janë djegë. Shtëpia që gjendet rreth 20 metra larg saj nuk është djegur, mirëpo ajo është demoluar në tërësi.

Fehmiu i tha QIK-ut se forcat serbe kishin hyrë në oborrin e tij të martën në mëngjes, në orën 6:30. Ai ishte mbajtur i mbyllur me 22 anëtarët e familjes deri në 18:30.

Ai tha se me të kishte kontaktuar një epror serb, në moshë rreth 45 vjeç, me gjatësi mesatare dhe që kishte një kryq druri në gjoks, të varur për një shirit të zi. Eprori serb kishte thënë se do të vendosej vetë në odën e Fehmiut sa të zgjaste aksioni. Në këtë odë gjenden eshtrat e tri kufomave.

Në shtëpinë dydhomëshe të Rizah Rekaliut janë eshtrat e së paku një kufome. Edhe kjo shtëpi është djegë në tërësi, si edhe mullarët e sanës e kashtës afër saj.

Në shtëpinë e Hazir Rekaliut, e cila është djegë, gjenden trupat e karbonizuar të dy kufomave. Anëtarët e familjeve i kanë identifikuar kufomat e Rrahim Kadri Lepajës (30), i martuar dhe baba i një fëmije, dhe të Beqir Xhafer Lepajës (28), që të dy nga lagjja e Lepajëve.

Anëtarët e shumtë të familjes Lepaja i thanë QIK-ut se dy të rinjtë ishin arrestuar të enjten rreth mesditës në rrugë e sipër për në shtëpitë e veta. Ata ishin larguar nga fshati të martën, bashkë me njerëzit tjerë, ndërsa ishin kthyer të enjten për të marrë nënën e njërit prej tyre që kishte mbetur vetëm në shtëpi në fshat. Në trupin e Rrahimit duket një vrimë plumbi. Supozohet se ata janë vrarë e masakruar, e pastaj janë djegë bashk me shtëpinë.

Kufomat tjera nuk dihet se të kujt janë. Supozohet se ato janë të personave që konsiderohen të zhdukur. Ka pasur njoftime për së paku tetë të zhdukur.

Rreth 100 metra larg shtëpisë së Fehmi Rekaliut, ku u gjetën tri kufoma, janë dy vetura të djegura, me të cilat kanë udhëtuar personat që konsiderohen të zhdukur.

Në lagjen Lepaja sot pasdreke kishte shumë njerëz nga kjo lagje dhe fshatrat përreth, si edhe aktivistë politikë të LDK-së e qytetarë të ndryshëm.

Me gjashtë kufomat e djegura, numri i viktimave të agresionit serb në Dobratin, Kaçanoll e Bajçinë arrin në 18, prej të cilëve pesë ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Deri më tash nuk dihet gjë për gjashtë persona që konsiderohen të zhdukur.

Numri i shtëpive të djegura e të rrënuara është 19 në Kaçanoll dhe 26 në Dobratin. Në Dobratin janë djegur objektet e dy shkollave fillore dhe ambulanta e fshatit.

 

 

Exit mobile version