Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Për çdo ditë njoftime për të vrarë në rajonin e Drenicës: Skënderaj
2 gusht 1993
Bastisje në Prishtinë dhe Obiliq
Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi shtëpinë e Hamit Avdiut, në rrugën “Xhemail Ibishi” në Prishtinë. Policët kërkonin Ramadan Avdiun, ish-i burgosur i ndërgjegjes, i cili nuk gjendej në shtëpi.
Gjatë bastisjes, policët serbë me vandalizëm thyen dhe demoluan orenditë e shtëpisë, ndërsa me vete morën Hamitin dhe vëllain e Ramadanit, Rexhepin, të cilët ende po mbahen në organet e policisë në Prishtinë.
Në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, rreth orës 8.30 u bastis shtëpia e Hajdin Krasniqit. Policia serbe kërkoi Xhavit Hazirin, ish i burgosur politik, i cili banon te Hajdini. Gjatë bastisjes policia u soll brutalisht ndaj familjes Krasniqi. Xhavit Haziri u arrestua.
Po ashtu sot rreth orës 5 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Bajram Hazirit, të cilët kërkuan djalin e tij Hazirin, ish i burgosur i ndërgjegjes.
Sot, rreth orës 5 të mëngjesit, tetë policë serbë bastisën familjet e Idriz Sveçlës dhe të Ahmet Haxhiut, ish i burgosur i ndërgjegjes. Përveç Ahmetit, policët arrestuan edhe Ismail Haxhiun, të cilët siç merret vesh ende po mbahen në lokalet e policisë në Prishtinë.
2 gusht 1994
Dje vazhdoi seanca në procesin e montuar në Prishtinë
Dje në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë (të udhëhequr nga pushteti okupues serb) përfundoi marrja në pyetje e të shtatë shqiptarëve të akuzuar për gjoja ushtrime ushtarake në Fushën e Labinotit në Shqipëri.
Gjyqtarët e instaluar serbë dje morën në pytje Luan Hetën, Beqir Mulecin, Hysni Francën dhe Bajram Gallapenin. Këta të akuzuar rrëfyen për torturat që ua kishin bërë inspektorët gjatë hetuesisë.
– Nuk kemi bërë kurrfarë ushtrimesh ushtarake në Fushë të Labinotit. Ajo që shkruan në aktakuzë është rrenë. Inspektorët na rrahën e na shanë, na detyruan të nënshkruajmë deklaratat, duke na u kërcënuar edhe me likuidim, deklaruan dje para
gjykatës këta të akuzuar.
Fehmi Leshtrani madje është liruar si i paaftë për ushtri për rekrutim në Nish, meqenëse mbanë syzat minus 12. I paaftë për ushtri ishte edhe Luan Heta. Beqir Muleci nga ish-APJ e patën lëshuar si të paaftë pas gjashtë muajsh shërbimi. Beqiri është i sëmurë mentalisht.
Kryetari i trupit gjykues të të treve Zoran Saveliq kumtoi se seanca do të vazhdojë nesër, kur pritet të lexohen disa shkresa të lëndës. Shtatë mbrojtësit do të paraqesin edhe propozimet e tyre në fazën e procedurës së provave.
2 gusht 1995
Në burgun e Dubravës së Istogut – keqtrajtohen të burgosurit shqiptarë
Në burgun e Dubravës në Istog, në të cilin po vuajnë dënimet edhe një numër i madh të burgosurish politikë shqiptarë të Kosovës, më 23 korrik të këtij viti nga gardianët e burgut u keqtrajtuan rëndë, Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës, i cili është i dënuar për herë të dytë me 2,5 vjet burg, derisa dënimin e parë e vuajti me 10 vjet. Po për të njëjtën vepër në këtë burg gjendet edhe Gëzim Lushi, po ashtu i burgosur politik, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Njoftohet se ata nga gardianët e burgut janë keqtrajtuar rëndë, vetëm pse kanë përcjellë programin televiziv në gjuhën shqipe.
Bëhet e ditur se Gëzim Lushit të keqtrajtuar rëndë i është ofruar ndihmë mjekësore vetëm pas tre ditësh, ndërsa Hysen Gega pas një ndëshkimi është duke bërë grevë urie.
Ndërkaq, KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se në Burgun e Qarkut në Prizren është keqtrajtuar rëndë fizikisht edhe Shaip Mustafa, i cili po mbahet nën hetime, kinse për formimin e SPB-së të Republikës së Kosovës.
Shaip Mustafa momentalisht për shkak të keqtrajtimeve të rënda fizike gjendet i shtrirë në spitalin e Prizrenit.
2 gusht 1997
Mitrovicë: Policia plaçkiti tre të rinj shqiptarë
Pardje, policia serbe plaçkiti disa tregtarë shqiptarë në lagjen Bair të Mitrovicës.
Policia ndaloi Lulzim M. Nulin (18), ia plaçkiti mallin që po e dërgonte në treg dhe pastaj e ktheu në shtëpinë e tij ku i plaçkiti mallin me vlerë prej 1500 DM.
Policia plaçkiti edhe Burhan Sahatçiun (20) duke i marrë mall me vlerë prej mbi 300 DM dhe Fadil Abitin (20) të cilit i mori mall me vlerë prej mbi 2000 DM.
Të tre tregtarët e plaçkitur u dërguan në lokalet e policisë në Mitrovicë ku u mbajtën rreth tri orë.
Lulëzim Nulit, më 28 korrik policia i pat plaçkitur mall me vlerë prej 700 DM, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
2 gusht 1998
Njoftohet për 8 shqiptarë të vrarë në fshatrat e Drenicës
Gjatë sulmeve të sotme të forcave policore ushtarake serbe në disa fshatra të Drenicës, deri më tash dihet për 8 shqiptarë të vrarë.
Burimet e KMDLNJ njoftojnë se në fshatin Jashanicë të Klinës janë vrarë tre pjesëtarë të UÇK. Ndërkaq në fshatin Shtuticë të Skënderajt janë vrarë katër shqiptarë, për identitetin e të cilëve ende nuk dihet.
Në fshatin Polac dihet se është vrarë Fatmir Xhemajl Veliqi (20).
Njoftohet se sot janë sulmuar edhe fshatrat Polluzhë e Tërstenik.
Forcat serbe vranë katër e plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri në fshatin Shtuticë të Gllogocit
Sot në fshatin Shtuticë të Gllogocit forcat serbe vranë katër dhe plagosën katër anëtarë të tjerë të familjes Zeqiri, njofton KI i degës së LDK.
Tragjedia mbi këtë familje ndodhi derisa forcat serbe po granatonin në drejtim të fshatrave Polac, Kryshec, Morinë e Shtuticë. Gjatë këtyre momenteve familja Zeqiri derisa po dilte nga shtëpia, për t’i ikur granatimeve të parreshtura të ushtrisë serbe, në oborrin e kësaj familjeje ra një granatë që ishte fatale. Me atë rast u vranë: Sofije Zeqiri (60), Vahide Zeqiri (20), Kada Zeqiri (17) dhe gruaja e Halimit, Emine Zeqiri. Ndërkaq u plagosën: Halim Zeqiri, (flitet se ka vdekur), Besim Zeqiri, Sherif Zeqiri dhe Rizah Zeqiri.
Gjithashtu sulmet serbe shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke shkatërruar shtëpi, makina bujqësore, shtalla, e të tjera.
