UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Nënë Tereza

13 korrik 1993

Nënë Tereza doli nga spitali

Nënë Tereza, themeluese e misionareve të bëmirësisë dhe fituese e Çmimit Nobel për paqe, të dielën doli nga spitali, ku ishte shtruar për shkak të shqetësimeve gastrike, njoftojnë agjensitë e lajmeve nga Bombaji. Nga Bombaji ajo do të shkojë në Kalkutë.

Kardilogu, Biran Pinto deklaroi të shtunën se Nënë Tereza, e cila kishte pasur më parë probleme kardiale dhe për këtë shkak është operuar më 1991, vuan nga një gastro-enterit, por zemra e saj punon mirë.

Nën Tereza ka lindur më 1910 në Shkup në një familje shqiptare. Është fituese e Çmimit Nobel për Paqe më 1979, për ndihmë dhënë të varfërve të Kalkutes. Urdhëri i “misionareve të shenjta”, sot ka në gjithë botën 2500 murgesha.

Nënë Tereza jeton në Indi që nga mosha 18 vjeçare.

 

13 korrik 1994

Ndërtohen lokalitete për kolonizimin e Kosovës

Në kuadër të programit serb për kolonizimin e Kosovës dhe për ndryshimin e strukturës etnike të saj, së shpejti në Velikarekë afër Vuçitërnës fillon ndërtimi i një lokaliteti prej 72 objektesh për refugjatët serbë. Siç njofton shtypi i sotëm serb  në këto objekte do të vendosen 72 familje me 360 anëtarë. Në qendër të lokalitetit do të ndërtohen objekte të ndryshme përcjellëse, shitore dhe lokale zejtare shërbyese, si dhe infrastruktura e nevojshme. Nja 12 objekte të lokalitetit do ndërtohen për familje bujqësore, të cilat do të marrin edhe nga 50 ari tokë, kurse nga tokat e fshatit do t’u ndahen prej 3 deri në pesë hektarë tokë.

Televizioni serb i cilësoi këto qendra vendbanimi si kibuce. Donatorë për ndërtimin e këtij lokaliteti janë Banka e Beogradit, filiali në Prishtinë, Shërbimi për qarkullim të pagesave dhe financa të Serbisë etj.

Zyrtarët serbë të komunës së Vuçitërnës, siç shkruan “Jedinstvo” e sotme, kanë premtuar se do të punësojnë refugjatët serbë dhe atyre do t’u japin edhe nga dy hektarë tokë.

Po kjo gazetë sot shkruan se po insistohet të ndërtohet edhe një lokalitet i ngjashëm edhe në komunën e Skenderajt, ku popullsi serbe ka vetëm 2 për qind.

Po ashtu njoftohet se në shtator në Zveçan fillon ndërtimi i një lokaliteti serb me 50 banesa.

 

13 korrik 1995

Nga mbledhja e Senatit të Universitetit të Prishtinës

Sot u mbajt mbledhja e Senatit të Univeristetit të Prishtinës, në të cilën në rend dite ishte marrja e vendimit për zgjidhjen e çështjes materiale të Universitetit, marrja e vendimit mbi kushtet e zgjedhjes në thirrjen shkencore-mësimore dhe e vendimit mbi formën dhe mënyrën e zhvillimit të ligjëratës inauguruese për zgjedhjen në thirrjen shkencore-mësimore të docentit.

Sa i përket zgjidhjes së çështjes materiale të Universitetit, në materialin e UP-së që iu shpërnda senatorëve për diskutim, thuhet se propozimi për grumbullimin e mjeteve është i përkohshëm dhe ka të bëjë vetëm me mjetet e regjistrimit të studentëve dhe se edhe vendimi që duhet të mirret është i përkohshëm.

Pagesat e tjera, si provimet plotësuese, klasifikuese, provimet e rregullta, vërtetimet, certifikatat, diplomat, pagesat e ndryshme për studime pasdiplomike dhe për doktoratë, etj., mbeten në institucionet e shkollimit të lartë (ISHL), thuhet në këtë material.

Po ashtu, jepet njoftimi se për këtë material, nga 20 ISHL, janë konsultuar 16 sish. Kundër grumbullimi të tillë të mjeteve janë deklaruar Fakulteti Juridik, ai ekonomik, filozofik dhe elektroteknik dhe SHLP në Prishtinë dhe ajo në Prizren. Kundër është edhe Fakulteti Filologjik, i cili as që u është përgjegjur ftesave për biseda rreth kësaj çështjeje.

Fakulteti i Mjekësisë dhe SHLP e Gjakovës, Pejës e Gjilanit, janë deklaruar se do të përkrahin çdo vendim të Senatit, ndërkohë që 6 fakultete: Makineria, Ndërtimtaria dhe Arkitektura, Xehëtaria dhe Metalurgjia, Shkencat Matematiko- Natyrore, i Arteve dhe i Kulturës Fizike janë deklaruar pozitivisht për këtë vendim.

Po kështu në këtë material propozohet formimi i një fondi të veçantë për ndihmë dhe destinim të posaçëm, për botimin e teksteve, për pajisje laboratorike, për financimin e disa studentëve në degët deficitare, etj, ose i një fondi me të cilin do të disponojë Rektorati dhe do të intervenojë sipas nevojave të ISHL. Këto dy fonde do të formohen nga një përqindje e përcaktuar (25-35 përqind) nga mjetet e regjistrimit të studentëve ose nga një përqindje e caktuar (rreth 60 përqind) mbi mesataren për të punësuarit.

Në kuadër të kësaj propozohet të bëhet unifikimi i evidencave të studentëve, fletëparaqitjet, indeksi dhe formularët tjerë të kenë shenjë të posaçme dhe numër të veçantë dhe të jenë dokumente me vlerë dhe të gjitha të sigurohen nga Rektorati, propozohet aprovimi i rregullores mbi të ardhurat personale në nivel të Univeristetit, ndërsa të gjitha ISHL-të obligohen që Universitetit t’i dërgojnë raportet periodike mbi të hyrat dhe të dalat.

Në materialet e mbledhjes së sotme të Senatit gjithashtu propozohet marrja e vendimit mbi kushtet e zgjedhjes së mësimdhënësve në thirrjen shkencore-mësimore dhe mësimore dhe vendimit mbi formën dhe mënyrën e zhvillimit të ligjëratës inauguruese për zgjedhjen në thirrjen shkencore-mësimore të docentit, në të cilat vendime përcaktohen kriteret sipas të cilave duhet të realizohet kjo procedurë.

Rreth këtyre çështjeve u zhvillua një debat i gjerë. Meqë mbledhja e sotme e Senatit nuk u krye deri në mbylljen e informatorit të sotëm ditor, nuk arritëm të sigurojmë informacione për vendimet e marra në të.

 

13 korrik 1998)

Dy të vrarë e 13 të plagosur në Peçan të Suharekës

Muhamet Rrustem Krasniqi (26) dhe Xhemajli Avdi Bytyçi (24) u vranë, ndërsa 13 shqiptarë të tjerë u plagosën sot në mëngjes gjatë një sulmi të forcave serbe kundër fshatit Peçan të Suharekës.

Nga granatat e shkrepura nga forcat serbe, janë plagosur rëndë Astrit Muhamet Gashi, Agron Dergut Gashi dhe Naser Nezir Hoxha, ndërsa më lehtë janë plagosur Bekim Rifat Bejtaj (24), Osman Sali Setaj, Gafurr Sali Shahinaj, Qazim Halil Gashi (20), Nazim Dalip Karaxha, Mufail Sejdi Fandaj, Misin Ramadan Sopaj e Hajdin Faik Pandaj, të gjithë nga Peçani, si dhe Gëzim Selman Bytyçi dhe Ahmet Haki Gashi, të dy nga Suhareka.

Burimet e LDK-së njoftojnë se forcat ushtarake serbe të përqendruara në Biraç dhe forcat e policisë të përqendruara nga e premtja në Shirokë e granatuan sot fshatin dhe shkollën e tij në orën 7:15.

Fshati Peçan gjendet rreth 2 km larg Suharekës, jo shumë larg rrugës Prishtinë – Suharekë.

Në qytet gjendja është shumë e rëndë. Prej mëngjesit policët dhe civilët serbë shtijnë me armë në drejtime të ndryshme, me qëllim të shkaktimit të panikut në mesin e shqiptarëve.

Exit mobile version