UBT News

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 12 korrik 1993-1998?

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 Foto: “Der Spiegel”

12 korrik 1993

“Der Spiegel”: Minoriteti grek në Shqipëri kërcënohet me kërkesën për autonomi

Në numrin më të ri të javores politike gjermane “Der Spiegel”, në një shkrim rreth konfliktit midis Shqipërisë dhe Greqisë, analizohet dëbimi me dhunë i shqiptarëve nga Greqia dhe synimet e prapavijës politike greke ndaj Shqipërisë.

“Gjatë bisedës me të dëbuarit dhe me ata emigrantë, të cilët për të mos rënë në duar të policisë greke udhëtuan nëpër male, del në pah skenari grek për rrënimin e Qeverisë shqiptare dhe presidentit Berisha. Sipas autorit të këtij shkrimi, rreth torturimit disaorësh të emigrantëve shqiptarë, policia greke i udhëzonte që të merrnin për detyrë që sa më shpejt ta përmbysin qeverinë antigreke ndaj Tiranës. Duke parë veprimtarinë fashiste të klerit grek, i cili shpërndante materiale ku kërkohej aneksimi i Shqipërisë, presidenti Berisha reagoi me vendosmëri kundër tendencave të helenizimit dhe kolonizimit ortodoks të Shqipërisë.

Premieri grek, Micotaqis, e ka paralajmëruar Shqipërinë se eskalimi i marrdhënieve me Greqinë, do të ketë pasoja për Shqipërinë. Më pas do të pasonte ngritja e çështjes së kërkesës së autonomisë së minoritetit grek në Shqipëri. Tirana për këtë as që don ta dijë, sepse sipas saj në Shqipëri jetojnë vetëm 60.000 grekë, ndërsa sipas burimeve greke, janë mëse 400.000 grekë. Shqiptarët edhe pas rënies së komunizmit, kanë frikë nga dominimi i fuqive të huaja në këtë vend të vogël të Adriatikut. Tirana është nervoze për shkak të gjendjes së shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni dhe është e vetëdijshme për aspiratat territoriale të fqinjëve të saj”, thekson midis tjerash javorja politike gjermane “Der Spiegel”.

 

 

12 korrik 1994

Represioni në Kosovë

Vushtrri: – Dje, një ekspeditë e policisë serbe e postkomandës së Prilluzhës, nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Ramiz Ademit në Stanoc të Ulët të Vushtrrisë. Pas disa orësh keqtrajtimi psikik, në lokalet e postkomandës së Prilluzhës, erdhi shefi i stacionit të policisë në Vushtrri, Vuçina Janiçijeviq së bashku me Sherif Musliun nga Stanoci i Ulët, i cili “dëshmoi” se para tri ditësh ia paskësh dhënë një revole Ramiz Ademit.

Më pas, policia keqtrajtoi fizikisht Ramiz Ademin deri në alivanosje, kundër të cilit u përdor edhe shkopi elektrik.

Po këtë ditë, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi edhe shtëpitë e Adem e Kamber Halilit dhe atë të Hashim Maliqit në fshatin Tarllabuq të Vushtrrisë. Policia nuk gjeti asgjë nga armët e kërkuara, ndërsa njoftohet se fizikisht u keqtrajtua plaku 70-të vjeçar, Adem Halili.

Të njëjtën ditë, policia bastisi edhe shtëpinë e Tahir Tahirit, kryetar i Aktivit të LDK-së në Stanoc të Ulët të Vushtrrisë. Tahir Tahiri nuk gjendej në shtëpi, ndërsa policia iu kërcënua bashkëshortes së tij, se do të vazhdojnë me bastisje derisa të dorëzohet Tahir Tahiri.

Më pas policia bastisi edhe shtëpinë e Beqir Tahirit, babait të Tahir Tahirit. Policia u soll me vandalizëm, me ç’rast gjatë ndërhyrjes theu derën e hyrjes.

Mitrovicë: – Më 7 korrik, policia nën pretekst të dorëzimit të armëve kërkoi në shtëpinë e tij, Behram Mehmetin në Rekë të Mitrovicës. Meqë Behram Mehmeti nuk gjendej në shtëpi, atij iu la ftesa që të paraqitet në postkomandën e Stantërgut. Po këtë ditë Behram Mehmeti u paraqit në polici, nga ai i cili u kërkua të dorëzojë një pushkë dhe një revole. Njoftohet se policia urdhëroi Behram Mehmetin që të paraqitet çdo ditë në polici, bile edhe të dielave.

Më 8 korrik, policia, bastisi shstëpinë e Gani Hasanit (55), nga i cili kërkuan që të dorëzojë një revole. Meqë Ganiu nuk gjendej në shtëpi, atij iu la thirrja që të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë dhe vete të sjell një revole, i cili edhe dorëzoi po këtë ditë.

Ferizaj: Dje, rreth orës 14:00, dy policë kërkuan në shtëpinë e tij Osman Ukiqin, anëtar i Kryesisë së Aktivit V të Nëndegës IV.

Meqë Osmani nuk gjendej në shtëpi, policia mori me vete vëllain e Osmanit, Bislim Ukiqin, i cili në stacionin e policisë në Ferizaj u mbajt rreth një orë dhe u keqtrajtua fizikisht. Bislimit ia dhanë thirrjen që të paraqitet së bashku me Osmanin sërish nesër në polici.

Më 9 korrik, policia bastisi shtëpinë e Shefqet Tashollit në Ferizaj. Policia kërkoi djalin e Shefqetit, Skënder Tashollin, i cili kohë më parë ka dezertuar nga ushtria serbe. Skënder Tasholli tashmë një kohë të gjatë gjendet jashtë vendit.

Dje, rreth orës 9:00, policia bastisi shtëpinë e Abdyl Leskovicës në Ferizaj, nga i cili konfiskuan një revole. Bëhet me dije se pas bastisjes, policia e mori me vete Abdylin në stacionin e policisë në Ferizaj, me ç’rast u mbajt deri në orën 13:30, ndërsa më vonë atë e dërguan në Gjykatën komunale serbe ku u hap procedura kundër tij.

Skënderaj: Dje, policia serbe arrestoi në shtëpinë e tij Sylë Gecin, ish-epror ushtarak dhe ish-epror i Mbrojtjes Popullorer në Skënderaj. Njoftohet se Sylë Geci vazhdon të mbahet në arrest. Dje, për të satën herë policia mori në pyetje plakun Shaban Jasharin nga Prekazi i Ulët i Skënderajt, i cili u pyet për djemtë e tij Hamëz e Adem Jasharin, të cilët tash dy vite e gjysmë gjenden në arrati. Policët iu kërcënuan Shaban jasharit se do të ndërmarrin masa të reja kundër tij në rast mosdorëzimi të djemëve.

Më 10 qershor, policia mori Fazli Durmishin (72) nga Rakinica e Skënderajt, nga i cili u kërkua që të dorëzojë një pushkë gjuetie dhe një revole. Njoftohet se policia keqtrajtoi rëndë plakun Fazli Durmishi, i cili u lirua me kusht që të paraqitet sërish pasnesër në polici.

Podujevë: Dje në orën 18:30 në fshatin Bellopojë të Podujevës, me pretekst të kërkimit të armës, u bastis familja e Xhemil Mustafës. Pas bastisjes së kotë policia dërgoi Xhemilin në stacionin e policisë në Lluzhan dhe e rrahur atë duarëve. Gjendja e tij shëndetësore është e keqe pas rrahjes.

Xhemilit iu mor letërnjoftimi dhe iu dha urdhëri për t’u paraqitur në stacionin e policisë në Podujevë sot.

Po dje policia e ndali në rrugë Osman Malokun nga Bellopoja, ia mori letërnjoftimin dhe i dha urdhër për t’u paraqitur në stacionin e policisë sot në orën 07:00 në Podujevë.

Ndërsa Ajet Sylejmanit që iu mor të mërkurën(6 korrik) e kaluar një revole dje iu kërkua edhe një pushkë. Atij iu dha urdhër për t’u paraqitur në stacionin e policisë të enjten. Kur u paraqit në polici, au u keqtrajua, ndërsa në mes tjerash policia kërkoi nga ai që të rrethojë brenda dhjetë ditësh varrezat serbe në fshatin Bellopojë. -Nëse të duhen traktorë, ose punëtorë, urdhëro kend të duash!- i thanë atij. -Nëse nuk të dëgjojnë, vetëm na trego!- thanë policët.

Javën e kaluar, më 7 korrik, policia bastisi edhe shtëpitë e Hamit, Faik, Fazli, Rrahim dhe Bedri Malokut në Bellopojë.

Ndërsa, një ditë më parë, në fshatin Bradash policia bastisi shtëpinë e Ajet Hasanit, 83-vjeçar. Policia kërkonte një pushkë dhe një revole, ndërsa ndaj të birit të tij Hajdarit kërkonte edhe një automatik. Ajeti dhe biri i tij Hajdari u paraqitën në polici të nesërmen, sipas urdhrit të policisë. Në stacion Hajdari u rrah deri në alivanosje. U torturua edhe babai i tij, Ajeti.

Më 8 korrik policia bastisi shtëpinë e Sylejman Lushakukt në Podujevë. Sylejmani u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë. Po atë ditë, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Faik Vokrrit në fshatin Sveçël. Faiku nuk gjendej në shtëpi, ndërsa policia mori me vete djalin e tij Naserin dhe e dërgoi atë në stacionin e policisë në Podujevë, ku e maltretoi fizikisht. Të njejtën ditë policia bastisi në Sveçël edhe shtëpinë e Emin Vokrrit. Policia kërkonte një pushkë dhe një revole. Policia gjatë kësaj ekspedite, në hyrje të fshatit shtiu me armë zjarri në drejtim të Blerim dhe Rrahim Vokrrit.

Dje në fshatin Dumnicë policia me pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Vehbi, Isuf dhe Shemsi Selmanit.

Në këtë fshat dje policia kërkoi për të katërtën herë Nezir H.Abdullahun, i cili ndodhet në botën e jashtme.

Dje, po ashtu, në fshatin Pollatë, me pretekst të kërkimit të armëve, u bastis shtëpia e Nexhi Hoxhës. Policia gjeti një revole.

Dje po ashtu në fshatin Sekiraçë, me pretekst të kërkimit të armëve, u bastis shtëpia e Isak Ejupit, kryetar i Aktivit të LDK-së në këtë fshat.

 

 

12 korrik 1995

 Dhuna e përditshme në Kosovë

Skënderaj: – Dje në orët e hershme të mëngjesit, një patrullë e policisë serbe, ishte në shtëpinë e Sadik Ahmetit në Rezallë të Skënderajt dhe kërkuan djalin e tij Enver Ahmetin (1971). Dyshohet se Enver Ahmeti u kërkua që të dërgohet me dhunë në ushtrinë serbe.

Po ashtu dje rreth orës 10:00, policia e postkomandës së Runikut, arrestoi të riun, Bekim R.Osmanin nga Runiku. Shkaku i arrestimit të tij tash për tash nuk dihet.

Zhur: – Me pretekst të kërkimit të armëve, në postkomandën e policisë në Zhur, dje u mor Fadil Vezaj, anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Zhur. Në polici ai u mbajt rreth një orë e gjysmë dhe u lirua me kusht që në polici të paraqitet sërish sot.

Prizren: – Ditë më parë, po me pretekst të armës, në polici u mor Hasan Berisha nga Prizreni, me dy djemtë e tij, Garipin e Dashnorin. Pasi u mbajtën rreth dy orë në polici, ata u liruan, ndërsa Dashnori u urdhërua që në polici të paraqitet sërish sot.

 

 

12 korrik 1997

Kallëzim penal kundër Rufi Osmanit e Alajadin Demirit

Zoran Verushevski komunikoi dje para gazetarëve se kryetari i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, gjendet në paraburgim në burgun hetues “Shutka” në Shkup dhe se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Po ashtu ai njoftoi se në polici janë mbajtur 318 veta, dhe se ndaj 37 shqiptarëve është bërë kallëzimi për kundërvajtje, kurse ndaj 6 të tjerëve është bërë kallëzimi penal për shkak se tek ata kinse janë gjetur armë zjarri. Po ashtu thuhet se edhe ndaj Rufi Osmanit është bërë kallëzim penal dhe mbi këtë bazë ai mund të dënohet deri në 5 vjet burg. Kryetari i Gostivarit ngarkohet për “organizim të rezistencës dhe intolerancës masive”.

Ndërkaq Alajadin Demiri pandehet për “mosrespeketimin e vendimit të gjykatës kushtetuese”, përkatësisht pse nuk e ka hequr flamurin shqiptar para komunës.

 

12 korrik 1998

Shtatë shqiptarë të plagosur në Strellc të Epërm

Gjatë sulmit të mbrëmshëm të forcave serbe kundër fshatit Strellc i Epërm u plagosën shtatë shqiptarë. Janë plagosur rënd e leht Avni Hasanmetaj (33), jeta e të cilit është në rrezik, Xhevat Hasanmetaj (29), Sylë Hasanmetaj (28), Hajredin Hasanmetaj (23), Isa Avdimetaj (32), Rexhep Avdimetaj (24) dhe Selman Avdimetaj (15).

Forcat serbe ndërmorën në mbrëmje një sulm kundër Strellcit, mirëpo banorët e tij treguan trimëri të lartë në vetëmbrojtjen e fshatit.

 

Njoftohet për pesë policë serbë të vrarë e shtatë shqiptarë të plagosur në Strellc të Epërm

Mbrëmë rreth orës 18:00, kur policia hyri në fshatin Strellc i Epërm për të plaçkitur shtëpitë e shqiptarëve, ndodhi një përleshje e ashpër në mes të policëve dhe forcave mbrojtëse. Si pasojë e luftimeve u vranë pesë policë serbë. Në bazë të gjurmëve në vend të ngjarjes dyshohet edhe për të vrarë të tjerë.

Më pas policia dhe ushtria serbe, në shenjë hakmarrjeje, ndërmorën një sulm të ashpër kundër pozicioneve mbrojtëse të UÇK-së dhe banorëve në Strellc të Epërm. Sulmi me këmbësori dhe artileri të rëndë kundër fshatit zgjati afër tri orë. Brenda kësaj kohe janë zbrazur rreth 250 granata të kalibrave të ndryshme. U plagosën Avni Hasanmetaj (33), Xhevat Hasanmetaj (29), Sylë Hasanmetaj (28), Hajredin Hasanmetaj (23), Isa Avdimetaj (32), Rexhep Avdimetaj (24) dhe Selman Avdimetaj (18). Jeta e këtyre nuk është në rrezik.

Si pasojë e granatimeve në lagjen e Hasanmetajve janë shkaktuar dëmtime të mëdha materiale.

Forcat shqiptare qëndruan në pozicionet e veta dhe arritën të zmbrapsin sulmet e forcave serbe.

Derisa vazhdonin sulmet në Strellc të Epërm, u granatua edhe fshati Isniq. Nuk ka njoftime për të vrarë e të plagosur.

Mbrëmë janë zhvilluar luftime edhe në fshatin Prejlep. Sot po dëgjohen të shtëna përgjatë rrugës magjistrale Gjakovë – Pejë.

 

 

Exit mobile version