15 mars 1993
Lajmet kryesore:
Dr.Ibrahim Rugova: Plani paqësor për Kosovën po has në mirëkuptim në bashkësinë ndërkombëtare;
Protestë masive e shqiptarëve në Bon të Gjermanisë;
Kryetari i Federatës të Shkencëtarëve të Amerikës po qëndron në Kosovë;
Xheremin Stone vizitoi Qendrën për Informim të Kosovës;
Policia serbe arrestoi dr.Zekeria Canën;
Shuarja e barnatoreve në Kosovë;
Nazmi Peci u shkarkua nga detyra e kryetarit të Këshillit Qendror për Zvicër për grumbullimin e mjeteve financiare;
Kërkohet që Fabrika e Municionit në Skënderaj të transferohet në Zubin Potok;
Në Pejë vazhdon aksioni policor serb për kërkimin e armëve;
Faik Novobërdaliu u ftua gjashtë herë në bisedë informative;
Kosova – çelës i Ballkanit.
Në Istog polici serb vrau romin Bajram Çakaj
Parmbrëmë rreth orës 22, në qendër të Istogut, polici serb, Dragosllav Piskuliq, për shkaqe ende të panjohura, me dy të shtëna nga revolja, vrau Bajram Çakajn (l947), me përkatësi rome nga fshati Potërq i Klinës. Bajrami vdiq rrugës për në spitalin e Pejës. Organet serbe të hetuesisë, dolën në vendin e ngjarjes që në orët e hershme të mëngjesit.
Mirëpo, deri tani, ata nuk dhanë asnjë kumtesë lidhur me rastin.
15 mars 1994
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti delegacionin e Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës;
Masmediumet gjermane për tubimin e madh të shqiptarëve në Bon;
Fjala e Hans Shterkenit, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun Gjerman ;
Telegrame të shumta tubimit protestues të shqiptarëve në Bon;
Shtypi serb për tubimin protestues të shqiptarëve në Bon;
Adem Demaçi po qëndron në Gjermani;
Beogradi tregon qartë se do të pengojë kthimin e shqiptarëve nga Gjermania në Kosovë;
Kryetari i “Bella Ruzhës” paralamëron frontin e jugut;
Në Prishtinë jipen troje falas për serbët.
Represioni në Kosovë
Podujevë: – Dje, rreth orës 10, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Arif Ejupit, kryetar i Nëndegës së LDK-së në Gllamnik të Podujevës. Pas bastisjes policia e mori me vete Arif Ejupin në stacionin e policisë në Podujevë, i cili siç bëhet me dije u rrah brutalisht. Njoftohet se Arif Ejupi më pas u rrah nën pretekst se kinse ai qenka organizator i shtabit të mbrojtjes në regjionin e Podujevës.
Arif Ejupi u lirua me kusht që të lajmërohet sot në stacionin e policisë në orën 13.
Bëhet me dije se vëllait të Arifit, Ahmet Ejupit (1955), i cili punon përkohësisht në Austri, policia serbe ia mori dy vetura, për të cilat dispononte me dokumentacion të rregullt.
Gjithashtu dje rreth orës 10, policia serbe arrestoi, Idriz Hetemin (1965) anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Gllamnik të Podujevës. Idriz Hetemi u arrestua nën pretekst të kërkimit të armëve, derisa më 9 mars policia serbe nga babai i Idrizit, Shaqir Hetemi pat konfiskuar një pushkë të vjetër.
Mitrovicë: – Më 12 mars, në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe kërkoi në shtëpinë e tij Enver Sh.Brahimin në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës, i cili ka dy vjet që gjendet në Gjermani.
Kjo është hera e tretë që policia serbe kërkon Enver Sh.Brahimin për të dërguar me dhunë në ushtrinë serbe.
15 mars 1995
Lajmet kryesore:
Kryetari Rugova priti udhëheqjen e Institutit Albanologjik;
Presidenti Berisha priti ministrin Papulas;
“The Guardian” rreth vizitës së Papuliasit në Tiranë;
Kumtesë për opinion e PPK-së;
Simpoziumi shkencor në 30-vjetorin e vdekjes së Nolit;
Grupi i krijueseve dhe veteraneve të arsimit përkujtoi 30-vjetorin e vdekjes së Fan S.Nolit;
Shefi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq vizitoi KMDLNJ në Prishtinë;
Familjes Zajmi dhe ASHA të Kosovës po i arrijnë telegrame ngushëllimi;
Shtypi serb për varrimin e akademik Gazmend Zajmit;
Një serb rrënoi rrethojën e varrezave në Slivovë;
Një polic keqtrajtoi mbi dhjetë shqiptarë në stacion të autobusëve në Mitrovicë;
Në Rahovec një familje shqiptare u nxor me dhunë nga banesa;
Policia ndërhyri në SHF “Sulejman Vokshi” në Broboniq të Mitrovicës;
Arsimtari Shemsi Pllana u dënua me 15 ditë burg;
Policia ndërhyri sërish në SHMT “Marin Beçikemi” në Vushtrri;
- Pano: Bashkimi shqiptar në mënyrë paqësore;
Mbetet e pasqaruar vdekja e të resë Ilirianë Vuçitërna;
Riorganizohet administrata komunale në Preshevë;
Sipas shtypit serb, policia italiane keqtrajton dhe rrah pasagjerët që shkojnë nga Tivari në Bari;
Komentet e shtypit serb për rezolutën e fundit të OKB;
Gazetat njoftojnë për “hyrjen e disa shqiptarëve” në sistemin serb.
Dhuna e përditshme në Kosovë
Ferizaj: – Më 10 mars, policia serbe arrestoi Hajrush Bajramin, me pretekst se ai ka falsifikuar pasaporta dhe se denoncimin ndaj tij e ka bërë polici Shaban Bucaliu nga Ferizaj, djalit të të cilit Hajrushi ia kishte falsifikuar një pasaportë, me të cilën ai kishte tentuar të ikte nga shtëpia.
Më 12 mars, policia bastisi shtëpinë e Adem Shabanit nga Ferizaj, nga i cili morën një revole të markës “Parabellum” dhe një karabinë, të cilat ky i mbante me leje. Policia ia lanë ftesën Ademit që të paraqitet në polici.
Më 12 mars, rreth orës 3:00 të mëngjesit, me pretekst të kërkimit të armës, policia bastisi shtëpinë e Sylejman Jasharit (1942) nga fshati Zaskok. Sylejmanit dhe djalit të tij Nuhiut iu lanë thirrjet që të paraqiten dje në QS në Ferizaj.
Prizren: – Më 9 mars në tregun e Malishevës, policia serbe me qëllim të plaçkitjes së devizave, keqtrajtoi rëndë Muhamet Gashin nga Landovica.
15 mars 1997
Lajmet kryesore:
Shenja të qetësimit të gjendjes në Shqipëri;
Presidenti Berisha deklaroi se nuk ka ndërmend të jap dorëheqje;
Në Shqipëri u sulmuan dy helikopterë ushtarakë amerikanë;
Ish-ministri i mbrojtjes Safet Zhulali iku në Itali;
Koen: Intervenimi i SHBA-ve nuk planifikohet, por edhe nuk mund të përjashtohet;
Nikolas Bërns: Shqipëria duhet të ruhet edhe si shtet edhe si qeveri;
Përfaqësia e Kosovës në Tiranë funksionon normalisht;
Ambasada e Shqipërisë në Beograd nuk është mbyllur!;
Incident i sërishëm në kufirin Maqedoni – Shqipëri;
Një granatë shqiptare e lansuar nga Korça ra në territorin e Greqisë;
Demonstratat në Maqedoni po eskalojnë edhe me incidente;
Në aferën piramidale “TAT” janë involvuar edhe funksionarë të lartë të Maqedonisë;
Gjatë vitit 1996 u vranë 26 gazetarë.
Dhuna e përditshme në Kosovë
Prishtinë, 15 mars (QIK)
Gjilan: – Më 13 mars, policia serbe kërkoi në shtëpinë e tij, Rahim Hoxhën nga Cërnica. Atij iu la thirrja që të paraqitet po këtë ditë në stacionin e policisë në Gjilan.
- Hoxha nga inspektori i sigurimit serb, Paviq u pyet për aktualitetin politik, si dhe për disa probleme në kolektivin e shkollës fillore në Cërnicë.
Rahim Hoxha u pyet edhe për djalin e tij Malazog Hoxhën, kryetar i Nëndegës së FR të LDK-së në Cërnicë.
Po këtë ditë në pyetje u mor edhe Ejup Sylejmani, kryetar i Nëndegës IV të FR të LDK-së në Gjilan. Ejup Syelmani u pyet për aktivitetin e Degës së FR të LDK-së në Gjilan, për procedurën e zgjedhjeve, si dhe për çështje të tjera të aktualitetit politik.
Më 9 mars, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tij Emrush Dubovën nga Gjilani. Ai nga ora 8:00 deri në orën 13:00 nga policia serbe është shëtitur nëpër rrugët e Gjilanit, ndërsa më vonë është dërguar në stacionin e policisë në Kamenicë dhe është keqtrajtuar fizikisht.
Pas keqtrajtimit fizik, Emrush Dubova është hedhur i alivanosur në rrugë.
Mitrovicë: – Më 10 mars, tre policë serbë ishin në shtëpinë e Ali Hasanit në Vinarc dhe kërkuan djemtë e tij Musa dhe Demir Hasanin. Ata u urdhëruan që të paraqiten në polici me pretekst të dorëzimit të një revoleje. Vëllezerit Hasani u liruan me kusht që të paraqiten sërish të nesërmen në polici. Meqë nuk kishte se çka të dorëzojnë, ata janë urdhëruar që të paraqiten edhe më 14 mars, ndërsa bëhet e ditur se policia i ka urdhëruar që të paraqiten në polici edhe më 17 mars të këtij viti.
Gllogoc: – Më 13 mars, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tij në fshatin Obri, Hajdin Hysenajn, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Gllogoc. Pasi u mor në pyetje, z. Hysenaj u urdhërua që të paraqitet sërish në polici më 17 mars.
Prizren: – Rexhep Temaj nga Prizreni u kërkua tri herë nga policia serbe. Ai ka kohë që gjendet në Bosnje, ku punon si bukëpjekës.
15 mars 1998
Edicioni i parë (Ora 11:30):
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së zgjodhi Kryesinë e re të LDK-së;
Grupe policësh kontrollojnë 17 km. rrugë prej Mitrovicës në Klinë të Epërme;
Kisha evangjeliste gjermane dhe RTL ndihmojnë Drenicën;
Lëvizje të forcave serbe në drejtim të Skënderajt.
Edicioni i dytë (Ora 14:45):
Manifestime madhështore e mesha në kishat shqiptare në përkujtim të viktimave të terrorit serb në Drenicë;
Konferencë për gazetarë e drejtuesve të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve;
Kinkël kërkon forca ndërkombëtare për Kosovën;
- Solana: Millosheviqi do të jetë i detyruar ta pranojë ndërmjetësimin për Kosovën;
Konferenca e Parisit mbi Kosovën mbahet para 25 marsit;
Mazovjecki: Bota nuk ka nxjerrë mësim nga lufta në Bosnje e Hercegovinë;
Shqipëria kërkon Flotën e Gjashtë;
Me masa kërcënuese politike-ekonomike mbi Beogradin pengohet shpërthimi i luftës në Kosovë;
Hungarezët kundër pjesëmarrjes së tyre në aksionet propagandistike të qeverisë serbe në Kosovë;
Një shoqatë e intelektualëve të Beogradit kërkon hetime për masakrat në Drenicë;
Problemi i Kosovës nuk mund të zgjidhet pa ndërmjetësimin ndërkombëtar;
Persona të panjohur dëmtuan shtëpinë e Asllan Asllanit;
Në Kosovë do të bëhet ekspertiza e masakrës serbe;
Forcat ndërkombëtare duhet të përqendrohen në rajonin e Kosovës;
Persona të maskuar plagosën burrë e grua;
Redaksia e “Botës së re” reagon kundër dhunës së policisë serbe ndaj krijuesve, shitësve e lexuesve të kësaj gazete.
Forca të mëdha serbe u vendosën në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj
Nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt, që nga orë 9 deri pas orës 12 kanë shkuar sot forca të mëdha të policisë serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Në drejtim të Skënderajt kanë shkuar sot 13 autobusë, 1 autoblindë, 6 kamiona, prej tyre dy të ushtrisë serbe, 21 pizgauerë, 1 kombi, 5 xhipa dhe 3 vetura të policisë, të mbushura përplot me policë serbë.
Në drejtim të Skënderajt kanë shkuar pas pak kohësh edhe 4 autobusë, 9 pizgauerë dhe tri vetura të policisë, të cilat kanë ardhur nga drejtimi i Leposaviqit.
Burimet e LDK-së njoftuan në orën 10:00 se grupe policësh po mbanin nën kontroll të rreptë rrugën Mitrovicë – Skënderaj, ndërsa reth mesditës në të dy anët e e rrugës ishin dyfishuar forcat.
Lëvizjet e forcave serbe në drejtim të Skënderajt vazhduan edhe rreth orës 13, kur në këtë drejtim shkoi një kamion me targa të policisë, i cili ishte i mbushur përplot me armë dhe kishte një kanatë anësore të hapur. Kamioni përcillej nga një veturë e tipit landrover me targë të Beogradit.
Gjatë parakalimit nëpër Mitrovicë, policët ua drejtonin armët qytetarëve dhe i provokonin ata.
Një përfaqësues i Degës së LDK-së në Skënderaj tha se autobusët e automjetet e forcave serbe hynë në oborrin e Fabrikës së Municionit në Skënderaj dhe pas pak kohësh dolën të zbrazura dhe shkuan sërish në drejtim të Mitrovicës.
Burime të LDK-së bëjnë me dije se mbrëmë nga ora 18 deri në orën 19, janë dëgjuar të shtëna nga armët artilerike në afërsi të fshatit Morinë të Skënderajt, ku ndodhet aeroporti bujqësor dhe ku është e stacionuar policia serbe.
Druhet se mund të jetë shtirë në drejtim të ndonjë fshati të afërm, ndonëse tash për tash kjo nuk ka mundësi të konfirmohet, për shkak të bllokadës së plotë nga policia serbe dhe pamundësisë së sigurimit të informacionit të plotë.
Pas ekspeditave serbe dhe masakrimit të së paku 80 shqiptarëve, shumica gra, fëmijë e pleq, në Drenicë sot sundon një gjendje frike e ankthi nga rreziku i ndonjë aksioni të ri të forcave serbe.
Dega e LDK-së në Skënderaj i bënë thirrje edhe njëherë bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë energjikisht për të parandaluar një masakër të ri të popullsisë shqiptare në Drenicë.
Edicioni i tretë (Ora 16:40):
Situatë edhe më tej e rëndë në komunën e Klinës;
Partia Demokratike e Turqve kundërshton letrën e disa gazetarëve turq dërguar qeverisë serbe.
Edicioni i katërt (Ora 19:00):
Kryetari Rugova priti drejtorin e Qendrës për Studime Ndërkombëtare në Veneci;
Vazhdojnë lëvizjet e forcave serbe në drejtim të Skënderajt;
Llaushë: Ndërrohen forcat që mbajnë të rrethuar fshatin, të shtëna në mëngjes e në mesditë
Dha 3.000 DM për Drenicën;
Policia serbe rrahu disa gjilanas që morën pjesë në homazhin bërë viktimave të Drenicës.
15 mars 1999
Edicioni i orës 10:00:
Policia serbe vrau 4 anëtarë të familjes Tafaj nga Grejkoci i Suharekës
Katër anëtarë të familjes Tafaj nga Grejkoci i Suharekës, Xhemajl H. Tafaj (42), Ismajl H. Tafaj (35), Rizah I. Tafaj (19) dhe Ibrahim Xh. Tafaj (16), u vranë dje rreth orës 15:00 nga policia serbe në malet midis fshatrave Grejkoc e Mushtisht, njofton KI i Degës së LDK-së në Suharekë.
Ata kishin shkuar në mal për t’u furnizuar me dru, ndërsa njëri nga anëtarët e kësaj familjeje, i cili arriti të shpëtojë, tha se anëtarët e familjes së tij u vranë pa kurrfarë shkaku nga policia serbe.
Në Zabllaq të Istogut u gjetën trupat e pajetë të dy burrave;
Vushtrri: Që nga ora 6.30 kanë filluar granatimet me intensitet të madh;
Granatime të fuqishme në drejtim të fshatrave të Llapit;
Vazhdojnë sulmet e forcave serbe drejt fshatit Sferkë të Klinës;
Edicioni i orës 11:00:
Rihapet konferenca për Kosovën në Paris;
Forcat serbe po granatojnë disa fshatra të Mitrovicës, Vushtrrisë e Skënderajt;
KMDLNJ: Nga Serbia në Kosovë hyri një konvoj i madh i forcave serbe;
Mitrovicë: Forcat serbe shtien me armë drejt dy banorëve shqiptarë të Vaganicës;
Tregtarët shqiptarë sot do të bëjnë homazh në tregun e Mitrovicës;
Vushtrri: Mësimi ndërpritet deri më 22 mars.
Edicioni i orës 13:00:
Delegacioni i Kosovës paralajmëron nënshkrimin e Marrëveshjes;
- Vedrin: Bisedimet në Paris nuk do të zgjaten si ato në Rambuje;
- Kuk: “Beogradi do t’i presë pasojat, nëse e kundërshton paqen”;
Ministrat e UE-së ftojnë palët që ta nënshkruajnë marrëveshjen;
Prizren: Afër fshatit Jeshkovë u gjetën edhe dy të vrarë;
Podujevë: Në Metohi u varros Besnik Shabani;
Kërkohet gjak për të plagosurit në Podujevë e Mitrovicë;
Deçan: Të shtëna të forcave serbe në drejtim të fshatrave Ratish e Dashinoc;
Deçan: Në postblokun e policisë në Raushiq policia serbe arrestoi një shqiptar;
Kamenicë: Forca të mëdha serbe janë grumbulluar në oborrin e SHF “F. Noli”;
Afishe të falsifikuara, me shenjën e OSBE-së, u shpërndanë edhe në fshatrat e Deçanit.
Istog: U identifikuan të vrarët që u gjetën në fshatin Zabllaq
Prishtinë, 15 mars (QIK) – U bë identifikimi i dy trupave pa jetë që u gjetën sot në mëngjes, në Zabllaq të komunës së Istogut. Këta janë Rrahman Morina (35) nga fshati Baicë i komunës së Istogut dhe Shaban (Hajredin) Ramçaj (50) nga Banja e Pejës.
Dëshmitarët okularë kanë pohuar se viktimat i kishin gjysmë të zhveshura këmishët, kurse fytyrat e tyre ishin të përgjakura. Dyshohet se ata janë vrarë nga afërsia.
Edicioni i orës 13:00:
Ndërhyrje e forcave serbe në disa fshatra në rrugën Prishtinë-Podujevë;
Në Gjakovë policia serbe arrestoi rreth 20 civilë shqiptarë dhe i dërgoi në drejtim të panjohur;
Civilë të shumtë shqiptarë nga fshatrat e Klinës kanë mësyer drejt komunës së Malishevës;
SHHB “Nëna Tereze”: Gjendje tepër e rëndë e banorëve të fshatrave të Klinës e Malishevës;
PSHDK: Aktet terroriste në Mitrovicë dhe në Podujevë janë bërë me një skenar të caktuar serb;
BSPK: Vendosja e bombave në vendet urbane në Kosovë – veprim i forcave të errëta serbe;
Ambasadat e huaja në Beograd qysh sot duhet të marrin vendimin për evakuimin urgjent;
- Petriç: Nuk ka nënshkrim të veçantë politik nga ai ushtarak i marrëveshjes;
Sipas shtypit serb mekanizmi me eksploziv ka qenë i vendosur nën një banak.
Edicioni i orës 15:30:
Rahovec: Dje në Kramovik u gjet trupi i pajetë i një shqiptari
Prishtinë, 15 mars (QIK) – Trupi i pajetë i Zyber Kadri Morinës (55) nga fshati Gexhë i Rahovecit është gjetur dje pasdite në fshatin Kramovik, njofton KI i Degës së LDK-së në Rahovec.
Në njoftim thuhet se për fatin e tij nuk dihej që nga 24 shkurti, kur ai u mor nga policia serbe në stacionin e autobusëve në Prizren.
Kryesia e LDK-së dënon aktet terroriste në Mitrovicë dhe Podujevë;
Kryesia e Forumit të Rinisë të LDK-së dënon aktet kriminale të terrorit urban në Kosovë;
Podujevë: Granatime drejt Bradashit – snajperistë në qytet;
Podujevë: I vrari i tretë nga shpërthimet është Sadik Zhegrova nga Llapashtica e Poshtme
Forcat serbe po i granatojnë pesë fshatra të Vushtrrisë;
Vushtrri: Policia serbe plaçkitë e keqtrajton civilë shqiptarë;
Kontroll policor në disa fshatra të Ferizajt;
Prizren: Në Dushanovë policia serbe arrestoi një shqiptar.
Edicioni i orës 17:00:
Paris: Kryesia e delegacionit shqiptar pajtohet ta nënshkruajë marrëveshjen
Prishtinë, 15 mars (QIK) – Kryesia e Delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Paris, doli para gazetarëve diçka pas orës 16.30 dhe deklaroi se është e gatshme ta nënshkruajë tekstin e marrëveshjes për Kosovën të negociuar në fazën e parë të konferencës, në Rambuje, muajin e kaluar.
Marrëveshja pranohet si e plotë, me të dy komponentat, politike dhe zbatuese.
Marrëveshja e Rambujesë për Kosovën parasheh një vetëqeverisje tri-vjeçare, gjatë të cilës do të vendosen institucionet demokratike, duke përfshirë zgjedhjen e Kryetarit, Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës. Marrëveshja duhet të zbatohet nga misione civile dhe ushtarake ndërkombëtare, ky i dyti i udhëhequr nga NATO-ja.
Po-ja e delegacionit të Kosovës vjen pas pothuaj tri javësh konsultimesh me institucionet politike dhe ushtarake dhe popullin e Kosovës në nivele të ndryshme.
Lajmet e tjera: Dr. Ibrahim Rugova: “Tani e presim NATO-n”;
Nuk dihet asgjë për fatin e dy shqiptarëve të arrestuar nga policia serbe në Han të Elezit;
Katër të vrarë gjatë luftimeve të djeshme në Dush.
