Sot shënohet Dita ndërkombëtare për zero diskriminim, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të kremtuar diversitetin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.
Diskriminimi është trajtimi i personave në situatё analoge në mënyrë të ndryshme ose trajtimi i njëjtë i personave në situata të ndryshme, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.
Që nga fillimi i njerëzimit, diskriminimi, qoftë në një formë, qoftë në tjetrën ka paraqitur problem. Diskriminim është bërë gjithkund ndaj njerëzve autoktonë dhe ndaj minoriteteve, diskriminimi ndodh ndaj fëmijëve, femrave të cilat trajtohen si qenie njerëzore më pak të vlefshme, njerëzve të infektuar me HIV/AIDS, kundër atyre që kanë të meta fizike dhe psikike, si dhe kundër atyre me orientime të tjera seksuale. Kjo shfaqet madje edhe në fjalorin tonë të përditshëm, përmes së cilit ndonjëherë, me qëllim ose pa qëllim e veçojmë veten nga të tjerët.
Diskriminimi shfaqet në aq shumë forma, sa që mund të supozojmë se secili në njëfarë forme dhe sasie ka qenë i prekur nga diskriminimi. Prandaj, vetëdijesimi për këtë çështje është esencial për ta përballuar atë në mënyrë efektive.
HANDIKOS me rastin e shënimit të 1 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me moton ‘’Sot lëvizim bashkë!’’, organizon aktivitete në sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’ dhe ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prishtinë.
“Duke qenë në fokus shpallja e vitit 2022 si vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, HANDIKOS sivjet ndërgjegjësimin për qasje dhe gjithëpërfshirje do e bëjë përmes vendosjes së karrocave nëpër ambiente të dy lokaleve të frekuentuara në sheshet e Prishtinës. Shënimit të 1 Marsit pritet t’i bashkëngjiten edhe krerët e shtetit dhe përfaqësues të tjerë institucional, për çka ju njoftojmë me kohë rreth orarit të vizitave të tyre”, thuhet në njoftim.