Sot në Prishtinë me aktivitete të ndryshme sportive po shënohet Dita Olimpike e cila shënon edhe fundin e Javës Olimpike. Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, tha se kjo ditë i tejkalon kufijtë te sportit, ndërsa kreu i Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi tha se aktivitete të tilla kanë për qëllim masivizimin e sportit.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” fëmijët sot kanë zhvilluar aktivitete si hedhja e gjyles, kërcim për së gjati dhe vrapim në 40 metra.
Çeku tha se Dita Olimpike është më shumë se sport, ndërsa për fëmijët kishte një mesazh të qartë duke iu thënë që të kenë sa më shumë aktivitet sportive.
“Dita Olimpike natyrisht është sport, por është edhe më shumë se sport. Është afrim, është bashkim, është komunikim më i mirë mes njerëzve, është thirrje për paqen, është një moment kur ne e premtojmë afërsinë që ne e ndërtojmë përmes aktivitetit sportiv. Prandaj, dua që të gjithë komunitetit sportiv të Kosovës t’ia uroj Ditën Olimpike dhe u uroj shumë sukses, e fëmijëve tanë që janë angazhimi ynë kryesorë, shëndet së pari dhe sa ma shumë aktivitet sportiv, edhe suksese në të ardhmen dhe rezultate si sportistë profesionistë”, tha Çeku.
Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi e shpjegoi qëllimin e kësaj Jave Olimpike, ku tha se fëmijët duhet të largohen nga telefonat dhe rruga dhe t’i kushtojnë rëndësi sportit.
“Kjo përveç që është Javë Olimpike, Ditë Olimpike, kjo e ka edhe qëllimin edhe të masivizimit të fëmijëve tanë të sportit në Kosovë. Besoj që këto aktivitete i japin motivim fëmijëve tanë, që të merren me sport. Qëllimi ynë është të kemi sa më shumë sportistë dhe sa më shumë fëmijë që merren me sport, të largohen nga rruga, të largohen nga telefonat e tyre, dhe kohën e humbur ta shfrytëzojnë në aktivitete sportive”, tha Krasniqi.
Java Olimpike është shënuar me aktivitete të ndryshme si ai i Komitetit Paralimpik në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe turneu i futbollit të madh në stadiumin e “Rilindjes”. Llogaritet që pjesë e kësaj jave janë bërë 5000 fëmijë në 26 komuna të Kosovës.
Dita Olimpike është me datën 23 qershor, por KOK-u në bashkëpunim me MKRS-në organizuan sot atë për shkak të aktiviteteve që ekipi kosovar olimpik do t’i zhvillojë javën e ardhshme, kur edhe do të bëhet nisja drejt Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”, të cilat fillojnë më datën 25 qershor dhe përfundojnë më datën 5 korrik.