Shoqata “Handikos”, së bashku me komunën e Prishtinës kanë shënuar 1 Marsin – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me një shëtitje 30 minutëshe në njërën nga rrugët e Kryeqytetit.
Nga “Handikos” përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje me të lehtë të tyre.
Drejtori i “Handikosit”, Afrim Maliqi ka kërkuar që çdo ndërtues të respektojë standardet për qasje të lirë edhe të kësaj kategorie.
“Jemi mbledhur për t’i parë sfidat dhe për të parë se ku janë ndërtuar pjerrinat mirë e ku ka pengesa që kërkojnë intervenim, qytetarët po lëvizin nëpër Evropë lirshëm e ne përdoruesit e karrocave ende nuk jemi të lirë në lëvizje”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se janë rreth 4 mijë qytetarë që lëvizin me karroca, siç ka theksuar pa llogaritur këtu nënat me fëmijë me karroca e të moshuarit.
Ndërkohë që nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, ka thënë se secili duhet ta përjetojë se sa e vështirë është lëvizja për persona të kësaj kategorie.
“Qenka një ndjenjë jo shumë e lehtë me qenë në karrocë dhe e shoh sa e vështirë është lëvizja me karrocë. Ne duhet ta përjetojmë këtë ndjenjë që kur të marrim vendime të mendojmë edhe këndvështrimin e personave në karrocë”, është shprehur ajo, duke thënë se ndodhet aty për të ofruar përkrahje.