UBT News

Dita Ndërkombëtare e gjuhës amtare, ambasadorët e Kosovës dhe Shqipërisë urojnë së bashku

Çdo vit, më 21 shkurt, shtetet anëtare të OKB-së kremtojnë në mënyrë universale Ditën Ndërkombëtare të gjuhës amtare.

Në vitin 1999, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s shpalli Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare; e ndjekur nga miratimi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (2000).

Dita Ndërkombëtare e gjuhës amtare është “për të promovuar ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”, transmeton ATSH.

Adia Sakiqi, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Holandë u shpreh në një video të shpërndarë nga MEPJ se, “gjuha shqipe është një gjuhë e rrallë e familjes indo-evropiane. Po ta shikojmë nga afër gjuha shqipe është një degëzim i veçantë i pemës së familjeve indo-evropiane dhe nuk ka lidhje me gjuhët e tjera të kësaj familje. Gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja e lashtë, gjuha më e vjetër e Ballkanit”.

“Emri më i njohur i një djali në Shqipëri është Ilir, ndërsa e një vajze është Ilira”, tha ajo.

“Gjuha shqipe është karakteristika më identifikuese mes shqiptarëve, është më e fortë se përkatësia fetare, më e fortë se përkatësia territoriale apo shtetërore. Siç thotë dhe një shprehje e vjetër shqiptare, “feja e shqiptarit është shqiptaria”, u shpreh ambasadorja Sakiqi.

Ndërsa Dren Doli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Holandë theksoi se, “gjuha shqipe përmban dy grupe kryesore dialektesh, gegë dhe toskë, të cilat dallohen për nga karakteristikat fonetike të tyre. Dialekti gegë është shumë më prezent në veri, kurse dialekti toskë në jug”.

“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, gjuha shqipe, flitet në Itali, në Turqi, në Greqi dhe në gjithë ato vendet ku shqiptarët jetojnë. Gjuha shqipe flitet nga më shumë se 8 milionë banorë dhe bashkon miliona njerëz në botë”, tha ai.

“Në përfundim duke iu falënderuar donim të veçonim kuptimin e fjalës “Faleminderit”. Fjala e bukur në shqip faleminderit bashkon fjalët i falem nderit tuaj. Faleminderit”, u shpreh Doli.

Exit mobile version