Inspektorati sanitar gjatë periudhës janar-maj 2024 ka shqiptuar rreth 2 mijë gjoba për personat që shkelin ligjin për kontrollin e duhanit.
Në lidhje me konsumin e duhanit, nga muaji prill të këtij viti ka hyrë në fuqi edhe zbatimi i udhëzimit administrativ për fotot që duhet të jenë në pakotë e duhanit, të cilat vetëdijesojnë duhanpirësit për rreziqet që sjell konsumi i duhanit, ku të gjitha subjektet në Kosovë kanë filluar të zbatojnë një gjë të tillë.
Kryeinspektori sanitar në Kosovë, Ibrahim Tërshnjaku thotë se kanë kryer rekord të numri të inspektimeve brenda dhjetë vjetëve të fundit, duke shqiptuar gjoba nga 50 deri në 3 mijë euro. Ai e konsideron shqetësuese edhe faktin se 30 për qind e përdoruesve të duhanit janë persona të mitur.
“Ka shtatë muaj që inspektorati sanitar nga ora pesë e mëngjesit deri në mesnatë bënë zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit…Kemi pasur edhe shqiptime të gjobave, të cilat nuk kanë respektuar ligjin për kontrollin e duhanit, ligj i cili është për ruajtjen e shëndetit publik për qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe me theks të veçantë të rinjve të Kosovës, të cilët kanë filluar të konsumojnë deri në 30 për qind të duhanpirësve në Kosovë, me të cilën është ndër problemet dhe fenomenet më vdekjeprurëse sipas analizave statistikore të cilët i parasheh OBSH-ja. Inspektorati sanitar ka shqiptuar 1.740 gjoba vetëm për këtë periudhë kohore, është duke bërë kontrolle të vazhdueshme në kohë të ndryshme dhe qe nga muaji prill ka hyrë në fuqi zbatimi i udhëzimit administrativ për fotografitë, ku të gjitha subjektet në Kosovë kanë filluar të zbatojnë një gjë të tillë. Sa më shpejt të fillojmë të bëjmë ndalimin apo zvogëlimin e pirjes së duhanit, do të kemi një jetë më të shëndetshme duke filluar nga mosha e të rinjve. Shuma e gjobës në bazë të ligjit fillon nga 50 euro deri në 3 mijë euro, është rekord i kontrolleve, asnjëherë deri më tani nuk kemi bërë kontrolle me numër më të madh, është numër rekord për 10 vjet. Kemi ndryshime kulturore te subjektet e gastronomisë aty ku konsumohet ushqimi, mirëpo te kafe-baret dhe ato që punojnë pas orarit të punës kemi probleme në mos zbatim të këtij ligji”, ka thënë Tërshnjaku.
Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha tregon se gjatë sezonit dimëror ka më shumë vizita në klinikë për shkak të problemeve shëndetësore të pacientëve të cilët konsumojnë duhan.
“Çdo tre-katër sekonda është nga një vdekje nga pasojat e pirjes së duhanit, apo nivelin botëror kemi diku në vit rreth shtatë milionë vdekje sa i përket duhan pirësve që janë aktivë dhe rreth një milion nga duhanpirësit pasivë… Duhanpirja rrezikon dëmtimin dhe zhvillimin e pacientëve me sëmundje kronike obstruktive dhe pacientët që janë me astma po ashtu edhe pacientët enfizematikë, por dëmin më të madh e shkakton sa i përket kancerit të mushkërive. Në tymin e duhanit, përveç nikotinës e cila është një substancë psiko-aktive dhe katranit e monoksidit të karbonit, kemi edhe substanca kancerogjene. Në statistikat tona kemi gjithmonë nga 10 pacientë me kancer pulmonar, nëntë rezultojnë duhanpirës. Është shumë i dëmshëm edhe për moshat e reja, por edhe te gratë sidomos te shtatzënat. Lindja e një fryti do të jetë me peshë rreth 200 gramë më pak dhe ka probleme më të mëdha të sistemit të respiratorit tek ato foshnje. Muajve të dimrit kemi përkeqësime shumë më të mëdha, kemi gjatë ditës rreth 60-70 vizita ambulatore që numri më i madh janë këto probleme”, ka thënë Hoxha.
Ndryshe çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën botërore pa duhan me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.