Presidenti rus Vladimir Putin të premten përsëriti një pretendim se neo-nazistët po kryenin krime në Ukrainë – një pretendim që Moska e ka përdorur për të justifikuar ndërhyrjen e saj ushtarake – ndërsa bota shënonte Ditën e Përkujtimit të Holokaustit.
“Harrimi i mësimeve të historisë çon në përsëritjen e tragjedive të tmerrshme”, tha Putin.
“Kjo dëshmohet nga krimet kundër civilëve, spastrimi etnik dhe veprimet ndëshkuese të organizuara nga neo-nazistët në Ukrainë. Është kjo e keqe ndaj së cilës ushtarët tanë po luftojnë me guxim”, tha ai në një deklaratë.
Mbështetësit e të ashtuquajturit operacionit ushtarak të Putinit pretendojnë se trajtimi i Ukrainës ndaj rusishtfolësve në vend është i krahasueshëm me veprimet e Gjermanisë naziste.
Një nga qëllimet e operacionit ishte “denazifikimi” i Ukrianës, tha Putin, kur njoftoi gati një vit më parë se kishte urdhëruar trupat ruse drejt Kievit.
Pretendimet janë kundërshtuar nga qeveria ukrainase dhe komuniteti hebre i vendit.
E premtja është 78-vjetori i çlirimit të kampit të vdekjes Aushvic-Birkenau të ndërtuar nga Gjermania naziste në Poloninë e pushtuar — datë kjo që është bërë Dita e Përkujtimit të Holokaustit.
Muzeu i Aushvicit nuk i ftoi përfaqësuesit rusë në ceremoninë e ditës kur Ushtria e Kuqe Sovjetike çliroi kampin nazist për shkak të ofensivës në Ukrainë./UBTNews/