Katër ditë që kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy lokacione, derisa dy shtetet shkëmbyen akuza e kundër akuza pas këtyre zhvillimeve.
Pavarësisht se situata ka qenë e qetë, shfaqja e xhandarmërisë serbe në afërsi të territorit të Kosovës ka ngritur shqetësime.
Në afërsi të Jarinjës, në territorin e Serbisë xhandarmëria serbe është vendosur në disa pika të larta duke vrojtuar njësitet e Policisë së Kosovës.
Edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë treguar mjaft vigjilente, duke vëzhguar lëvizjet e xhandarmërisë por që nuk është shënuar ndonjë incident.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme e ka quajtur vendim të duhur reciprocitetin për targa, duke i u bërë thirrje serbëve në veri që të zhbllokojnë rrugët dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se situata duhet të kthehet si ishte më 20 shtator e më pas mund të vazhdojnë bisedimet.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.
Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangien e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.