Punëtorët e KEDS-it me brohoritje “Duam Rroga” edhe sot kanë vazhduar grevën për të cilën, po kërkojnë nga kompania t’ua rrisë pagat në vlerë prej 100 euro. Ndryshe nga dje që greva u mbajt një orë sot do të zgjasë dy orë.
Zëdhënësi i Sindikatës së Punëtorëve, Ahmet Mujeci tha se ata po kërkojnë që menaxhmenti i kësaj kompanie t’ua rrisë pagat në vlerë prej 100 eurosh, meqë sipas tij çmimet e energjisë elektrike janë rritur dhe gjendja energjetike në vend është përmirësuar.
Mujeci tha se të gjithë punëtorët janë teknik të profilizuar dhe certifikuar profesionalisht dhe se nuk u takon që të kenë pagën 490 euro.
Greva, sipas tij, do të vazhdojë edhe nesër. Ai tha se po presin që menaxhmenti t’i thërrasë për biseda, nëse nuk ndodhë kjo, atëherë të premten, këshilli grevist do të mblidhet për të vendosur për hapat e mëtejmë ku do të ftojnë të gjithë kosovarët për të protestuar para kompanisë KEDS.
Pjesë e kësaj greve janë katër nëndistrikte, Obiliqi, Drenasi, Fushë Kosova dhe Podujeva.