Kuvendi Komunal i Istogut me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të kësaj komune nga okupatori serb ka mbajt seancë solemne dhe gjatë ditës janë paraparë aktivitete të shumta në këtë qytet. Në këtë seancë u tha se çlirimi i kësaj komune ishte triumf i popullit për liri dhe dinjitet.
Seanca solemne nisi me një minutë heshtje në nderim të të gjithë të rënëve për liri.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati teksa uroi të gjithë qytetarët e kësaj komune për këtë ditë, tha se 20 qershor 1999 mbetet pikë me peshë shekullore për lirinë e vendit.
Ferati tha se tashmë për këtë komunë kanë vizion për zhvillim.
“Mbetet pikë referimi e lirisë dhe pikë me peshë shekullore e sakrificës. Ne tashmë kemi vizion të qartë se kemi motiv në piedestalin më të lartë të krenarisë qëndrojnë dëshmorët e rënë për liri…Kuptuan se atë ditë fitoi shpresa mbi frikën, e qëndresa e popullit vlejti, dhe Istogu i lirë kishte nevojën për angazhim e zhvillim e për ta sjell në ditën ku jemi sot. Liria nuk është mungesë e luftës, liria është drejtësi, liria është barazi, liria është arsim, është mundësi dhe thirrje për të dhënë më shumë të mos e privojmë vetën nga ajo që e fituam me plotë mund, sepse sot prej atyre që luftuan me dhe pa uniformë, prej atyre që ranë në derë të shtëpisë e në frontin ushtarak prej të gjallëve që nuk u dorëzuan kurrë ju uroj ditën e çlirimit të Istogut”, tha ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Istogut, Enver Rugova tha se 20 qershori i vitit 1999 shënon fundin e një periudhe të errët dhe të dhimbshme për popullin tonë.
Rugova theksoi se çlirimi i Istogut ishte triumf i vullnetit të popullit për liri e drejtësi.
“Ky është një moment reflektimi, mirënjohje, angazhimi për të ruajtur dhe zhvilluar trashëgiminë e lavdishme që na është lënë nga ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë. 20 qershori i vitit 1999 shënon fundin e një periudhe të errët dhe të dhimbshme për popullin tonë, pas shumë vitesh vuajtje dhe persekutimesh Istogu u çliruara, ky çlirim nuk ishte vetëm një ngjarje ushtarake, por një triumf i vullnetit të popullit për liri, dinjitet dhe drejtësi”, tha ai.
Fjalë rasti në këtë seancë solemne për 26-vjetorin e çlirimit të Istogut mbajtën edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në 26-vjetorin e çlirimit të komunës së Istogut do të bëhen homazhe tek shtatorja e presidentit, Ibrahim Rugova, bëhet përurimi i shtatores së heroit, Selman Kadria, si dhe përurimi i memorialit të dëshmorëve në Vrellë. Më 20 qershor 1999 Istogu u çlirua nga okupatori serb