Franca celebron ditën e pavarësisë. Presidenti, Emmanuel Macron, udhëhoqi paradën ushtarake për festën kombëtare, duke shënuar kështu eventin e parë tradicional për Ditën e Bastijës që prej nisjes së pandemisë koronavirus.
Shefi i Elizesë hipi në një makinë ushtarake dhe përshëndeti pjesëmarrësit dhe publikun e mbledhur në bulevardin “Champs Elysees” të Parisit për të ndjekur nga afër paradën. Dukshëm, kjo u kishte munguar zyrtarëve dhe francezëve.
Ky vit shënon rikthimin e paradës ushtarake, pasi në celebrimet e kaluara u zëvendësua me një event me shumë pak pjesëmarrës për shkak të krizës shëndetësore nga Covid-19.
Ishte hera e parë që prej Luftës së Dytë Botërore që Franca nuk mbante paradën tradicionale në rrugët e Parisit. Në marshimin e këtij viti morën pjesë mbi 5 mijë forca dhe mjete të tjera luftarake.
Ai nisi nga Harku i Triumfit dhe përfundoi në sheshin Concorde, ku u mbajt dhe një ceremoni. Aty u nderuan dhe forcat ushtarake të Francës që kryen operacione me kolegë nga 8 vende të tjera europiane në Mali.