Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot me rastin e shënimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, u shpreh se kjo mbetet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë.
“Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët. Me përulje e krenari, në ditë të veçantë si kjo i kujtojmë të gjithë atdhetarët, intelektualët e albanologët, mësimdhënës e kontribues, gra dhe burra, të cilët kanë ruajtur të pastër gjuhën Shqipe”, shkroi Nagavci në Facebook.
Ministrja potencoi se gjuha është identitet kombëtar, shpirtëror e kulturor “andaj ta ruajmë e të kujdesemi për të”.
Postimi i plotë:
Sot më 22 nëntor, shënojmë ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe i cili u unifikua 114 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo mbetet si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë.
Në këtë Kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët.
Me përulje e krenari, në ditë të veçantë si kjo i kujtojmë të gjithë atdhetarët, intelektualët e albanologët, mësimdhënës e kontribues, gra dhe burra, të cilët kanë ruajtur të pastër gjuhën Shqipe.Gjuha është identitet kombëtar, shpirtëror e kulturor andaj ta ruajmë e të kujdesemi për të.
Gëzuar Ditën e Alfabetit!