Sot u mbajt takimi në mes koordinatorëve për veprat penale kundër dhunës në familje nga të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim u diskutua për problemet dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen prokurorët e shtetit në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër dhunës në familje. Ndër të tjera, siç u bë e ditur në komunikatë, u diskutua për sigurimin e provave të mjaftueshme, tërheqjen e deklaratave të viktimave në shqyrtim dhe për pamundësinë ligjore për tu mbështetur në deklaratat e mëhershme.
Po ashtu, gjatë këtij takimi, u diskutua edhe për mungesën e kapaciteteve në Institutin e psikiatrisë forenzike dhe zvarritjen e ekspertizave.
“Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Prishtinë të gjithë prokurorët koordinatorë u zotuan që do të vazhdojnë me përkushtim edhe më të madh, me urgjencë dhe me efikasitet të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje”, u bë e ditur tutje në komunikatë.