Më 23 maj 2024, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT organizoi një debat për sigurinë në komunikacion. Ky diskutim u zhvillua në bibliotekën e kampusit të UBT-së, si pjesë e Javës së Sigurisë në Komunikacion.
Debati ofroi një platformë për të diskutuar aspekte të ndryshme të sigurisë në komunikacion, duke përfshirë infrastrukturën, aspektet ligjore dhe rregullat e policisë së Kosovës. Pjesëmarrësit u informuan dhe patën mundësinë të debatojnë mbi këto tema të rëndësishme.
Në këtë aktivitete morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore, përfshirë Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Diskutimet u përqendruan në rolin dhe rëndësinë e infrastrukturës për sigurinë në komunikacion, si dhe në sfidat dhe strategjitë për përmirësimin e saj.
Debati u hap nga Dekani i Fakultetit Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, Visar Krelani, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën dhe theksoi nevojën e zhvillimit të diskutimeve të tilla në nivele akademike.
Togeri Nazim Zogaj, përfaqësues nga Policia e Kosovës ndau pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre për sigurinë në komunikacion. Sipas togerit të Policisë së Kosovës, Nazim Zogaj, disa nga shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore në vitin 2023 ishin mosmbajtja e distancës së sigurisë mes automjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mos respektimi i përparësisë së kalimit, kyçje e pasigurt në rrugë, radhitje e parregullt apo ndërrim i shiritave, kthim, rrotullim dhe lëvizje prapa.
Togeri Zogaj raportoi se ka pasur një rritje të numrit të kundërvajtjeve të cilat kanë rezultuar me pikë negative. Në vitin 2018, ishin regjistruar 18 mijë kundërvajtës, ndërsa në vitin 2023 ky numër ka arritur në 28 mijë. Kjo rritje tregon për një trend negativ, por Zogaj shprehu shpresën se statistikat do të përmirësohen me ndryshime të mundshme ligjore gjatë këtij viti.
“Gjithashtu, numri i personave të cilëve u është ndaluar drejtimi i mjetit motorik është rritur nga mbi 6 mijë në vitin 2018 në mbi 9 mijë në vitin 2023. Po ashtu, është vërejtur një rritje e madhe në kundërshtimet ndaj kundërvajtjeve, nga 1791 ankesa në vitin 2018 në 5556 ankesa në vitin 2023”, tha Zogaj.
Zogaj gjithashtu pasqyroi të dhënat krahasuese të numrit të patentë shoferëve dhe mjeteve motorike me aksidentet fatale dhe personat e vdekur nga viti 2011 deri në 2023. Në vitin 2011, numri i patentë shoferëve të lëshuar nga MPB-ja ishte 475,902, ndërsa deri në vitin 2023 ky numër është rritur në 879,555, një rritje prej 403,653 ose 85%.
“Numri i mjeteve motorike në qarkullim është rritur nga 189,943 në vitin 2011 në 459,108 në vitin 2023, një rritje prej 269,165 ose 142%. Krahasimi i aksidenteve fatale me numrin e patentë shoferëve të lëshuar tregon një rënie për 34 aksidente fatale ose 26%, dhe numri i personave të vdekur ka rënë për 51 persona ose 33%”, theksoi togeri Zogaj.
Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit dhe profesor në UBT, ka deklaruar se çdo vit në aksidente rrugore humbin jetën rreth 1.300.000 persona, ndërsa rreth 50.000.000 persona pësojnë lëndime trupore. Sipas tij, parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, aksidentet rrugore mund të bëhen shkaku i pestë kryesor i vdekjeve në botë, me rreth 2.400.000 viktima nëse trendi aktual vazhdon.
“Në vitin 2020, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një program dhjetëvjeçar, mbështetur nga 100 shtete, me qëllim të stabilizimit dhe uljes së numrit të viktimave nga aksidentet rrugore. Ky program synon një reduktim prej 50% të viktimave deri në vitin 2030. Nëse arrihet ky objektiv, do të parandalohen rreth 5 milionë viktima dhe 50 milionë lëndime trupore, duke kursyer gjithashtu rreth 30 miliardë dollarë nga buxhetet e shteteve”, u shpreh Dedaj.
Visar Baxhuku, profesor në UBT, ka theksuar se kundërvajtjet që rezultojnë në pagesa gjobash kanë përfunduar si proces. Sipas tij, numri i kundërvajtjeve është rritur në mënyrë represive, duke shënuar një rritje prej 21.5% në Ballkan, ku nga 219 gjoba për çdo 1000 banorë në vit, krahasuar me 94 gjoba për çdo 1000 banorë në shtetet evropiane, që është një numër shumë i lartë dhe ka kosto financiare të konsiderueshme. Ai sugjeron që për të ulur aksidentet, masat preventive duhet të zëvendësohen me masa të tjera./UBTNews/