Propozimi i ushtrueses së detyrës së shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila që të shtojë dy pika për seancën e sotme për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, shkarkimin e bordit të tanishëm dhe propozimin e emrave të rinj të AKP-së dhe për emërimin e kryetarit dhe bordit të ARKEP-it, ka ngjallur pakënaqësi te opozita e rrjedhimisht edhe debat mes palëve.
Madje, në një moment nga gjuha e trupit duket se debati edhe u ashpërsua më shumë se çduhej mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, shefit të GP të LDK, Arben Gashi, kryesueses së seancës Saranda Bogujevci dhe u.d. shefes së GP të LVV, Mimoza Kusari Lila.
Fillimisht, ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala që diskuton me kryesuesen Bogujevci dhe ministrin Murati.
Më pas, Murati mbetet vetëm me Bogujvecin dhe afrohet Arben Gashi që duket se ka një diskutim të fortë me ministrin e Financave. Pas këtij debati, dëgjohet Bogujevci që i thotë Gashit se e kishte dëgjuar se çfarë kishte thënë e duke i kërkuar njëkohësisht që të ulet.
“E dëgjova çfarë the… ulu në vend”, dëgjohet Bogujevci, ndërsa Gashi vazhdon të flasë duke drejtuar gishtin nga ministri i Financave, Hekuran Murati. E në të njëjtën kohë Bogujevci dhe Kusari-Lila i kërkojnë Muratit që të ulet.
Më pas Gashi vijon diskutimet me shefin e GP të AAK, Besnik Tahiri si dhe më vonë edhe me shefin e GP të PDK, Abelard Tahiri. Pasi flet me Tahirin, Gashi duket edhe nga leximi i buzëve që nuk ka një diskutim fort miqësor me një nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Si përfundim të dy pikat e propozuara nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje kaluan dhe janë renditur si pika e 5 për diskutim.