UBT News

Masat e reja të Qeverisë, pritet të ketë kufizim të lëvizjes në disa komuna

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar të mërkurën propozimin për masat e reja antiCOVID.

Hoti në një konferencë për media deklaroi se pritet të ketë kufizim të lëvizjes në komunat që janë në zonën e kuqe. Ai njoftoi se në këto zona që konsiderohen me rrezik të lartë të infeksionit, do të ketë edhe orë policore. Aktualisht komunat e “zonës së kuqe” janë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja.

“I kemi ndërmarrë dy veprime: Lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00, me specifika sipas manualit COVID-19, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik, kufizim i plotë i lëvizjes, orë policore në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet nga ora 19:00-05:00”, deklaroi kryeministri Hoti në një konferencë për media.

Shefi i Qeverisë deklaroi se këto masa do të finalizohen dhe do të dërgohen për votim në Qeveri. Ai deklaroi se këto masa janë plotësisht sipas ligjit.

“Janë masa plotësisht sipas ligjit. Janë masa ekstreme, hyjnë në fuqi nga e premta. Nëse një institucion nuk i zbaton masat, do të ketë mbyllje totale së paku për tre muaj. Jemi duke kaluar nëpër situatën me të vështirë në 20 vjetët e fundit, kjo situatë krahasohet vetëm me luftën”, deklaroi ai./UBTNews

Exit mobile version