UBT News

Disa fshatra të Preshevës përmbyten nga reshjet e shiut, Tirana do t’i dalë në ndihmë

Preshevë, 28 maj – Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme u shoqëruan me vërshime në disa vendbanime të Komunës së Preshevës.

Autoritetet komunale në Preshevë raportojnë për dëme të mëdha të shkaktuara nga reshjet e pandërprera të shiut në fshatrat Rahovicë dhe Raincë. Kjo ka pasuar me acarimin e lumenjve, të cilët kanë dalë nga shtretërit e tyre dhe kanë vërshuar oborret dhe bodrumet e shtëpive, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Gjatë ditës së sotme do të mbahet mbledhja e Shtabit të Krizave, për të vlerësuar gjendjen aktuale.

Kryetarja e komunës, Ardita Sinani përmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se i ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje Qeverisë së Serbisë, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe Bashkisë së Tiranës.

“Gjatë ditës me kërkesë për mbështetje financiare, për të përballuar këtë situatë të vështirë për Komunën e Preshevës dhe për banorët e prekur nga vërshimet, kërkova ndihmë nga Qeveria e Serbisë. Po ashtu për ndihmë komunës dhe qytetarëve tanë iu drejtova me shkrim edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti si dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj”, ka shkruar Sinani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes rrjetit social Twitter është solidarizuar me qytetarët preshevarë, të cilëve u ka premtuar se do t’u dalë në ndihmë.

“Jemi pranë vëllezërve e motrave tona në Preshevë, të cilët po përballen me dëmet nga reshjet e dendura të orëve të fundit. Tirana është me ju, jo vetëm me zemër, por edhe me mbështetje konkrete përmes një fond ndihme, që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak”, shkruan Veliaj./UBTNews

(Driton Hyseni, student i vitit të dytë në Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version