UBT News

Disa afrikanë që u larguan nga Ukraina pretendojnë se u përballën me racizëm në kufi

Ndërsa lufta Rusi-Ukrainë po vazhdon, disa afrikanë që u larguan nga vendi pohuan se u përballën me racizëm në kufi për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre. Studentja Eswatini Vkile Dlamini, e cila kaloi në Rumani nga Ukraina, tha se ky ishte rrugëtimi më i gjatë i jetës së saj.

“Ne ishim të ekspozuar ndaj racizmit. Policia na drejtoi armët. Isha e rraskapitur fizikisht dhe mendërisht”, tha ajo.

Victor Eldred nga Nigeria tha:“Në Lviv, vetëm ukrainasve iu lejua udhëtimi me tren. Ne pritëm në të ftohtë me orë të tëra, por disi pas një udhëtimi të gjatë, arritëm të dilnim nga Ukraina”.

Eldred që arriti në Sllovaki tha se qeveria nigeriane nuk ka kontaktuar ende me të.

Një student tjetër, Issa Dasylva nga Senegali, i cili ka mbërritur në Poloni, tha se nuk ka hasur asnjë problem në pikën kufitare.

Duke vënë në dukje se iu deshën 48 deri në 72 orë për të arritur në kufi, Dasylva tha: “Autoritetet senegaleze na kushtuan shumë vëmendje. Nuk kam parë asnjë senegalez që ka pasur probleme gjatë kalimit të kufirit. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën e Senegalit në Poloni”.

20% e studentëve në Ukrainë janë afrikanë. Ukraina është ndër opsionet e para për studentët e huaj për shkak të tarifave të përballueshme.

Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2020 nga Ministria e Arsimit e Ukrainës, rreth 80 mijë studentë nga 158 vende po studiojnë atje. India kryeson listën me 18 mijë e 429, Maroku me 8 mijë e 233, Azerbajxhani me 5 mijë e 470 dhe Nigeria me 4 mijë e 379.

Videot që u publikuan në mediat sociale, shfaqin afrikanët të cilëve u mohohet qasja në trenat që evakuojnë njerëzit nga Ukraina. Këto pamje nxitën zemërim.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha në një postim në Twitter:“Pushtimi rus i Ukrainës ka prekur ukrainasit në shumë forma shkatërruese. Afrikanët që kërkojnë evakuim janë miqtë tanë dhe duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u kthyer në vendet e tyre të sigurta. Qeveria e Ukrainës nuk kursen asnjë përpjekje për të zgjidhur problemin”.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe ShBA-të po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike kundër Rusisë.

Rusia u izolua edhe më tej pasi aeroplanëve të Rusisë iu ndalua të fluturojnë në hapësirën ajrore evropiane dhe kanadeze dhe një numër i bankave të saj u përjashtuan nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.

Deri më tani, të paktën 136 civilë janë vrarë në Ukrainë, duke përfshirë 13 fëmijë, dhe 400 të tjerë të plagosur, duke përfshirë 26 fëmijë, sipas shifrave të OKB-së.

Rreth 680 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje, tha të martën Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët./UBTNews/

Exit mobile version