Gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës diplomoi sot me 462 polici të rinjtë, 79 prej të cilëve nga komuniteti serb.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë.
Në ceremoninë e diplomimit, Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.
Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.
“Janë 56 vajza e gra në këtë grup, por na duhen dhe më shumë. Policia jonë është me ne në çdo ditë, në çdo festë, edhe kur ne pushojmë. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre është i pashoq… ata çdo ditë mbrojnë sovranitetin dhe territorin e Republikës së Kosovës. I përkulemi heroizmit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, i përkulemi edhe heroizmit të Enver Zymberit dhe aty që ranë në detyrë në mbrojtje të atdheut”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptar, 79 serb, 23 boshnjak, 6 turk, 3 ashkali dhe 2 rom.
“Që nga fillimi i detyrës sime si kryeministër jam munduar të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë e policëve. Dhe zotimi ynë në këtë mandat për 2000 policë të rinj, janë diplomuar gjithsej 2 mijë e 76 policë të rinj. I ftoj të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës që janë të gatshme t’i bashkohen policisë të aplikojnë dhe të jenë pjesë e saj”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se diplomimi i kësaj gjenerate është hap i rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe republikën e vendit.
Sipas tij, falë punës së pandalshme dhe profesionalizimit të Policisë e Kosovës, ajo renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit dhe ligjit sipas projektit botëror për drejtësi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se ky institucion është një organizatë multietnike që reflekton përbërjen etnike të shoqërisë kosovare.
Hoxha potencoi se sipas hulumtimeve viteve të fundit del se Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm i Republikës së Kosovës, duke shtuar se kjo shton edhe me shumë përgjegjësinë e tyre.