Kanë diplomuar sot 490 kadetë policorë në gjeneratën e 58-të të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve 46 janë femna e 85 të tjerë nga komunitetet joshumicë.
Në ceremoninë e diplomimit, krerët e shtetit kanë theksuar se Policia e Kosovës është prioritet për Qeverinë e Kosovës.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu ka thënë se duhet punuar më shumë që të rritet numri i vajzave dhe grave në Policinë e Kosovës.
“Sot është një ditë e rëndesishme për të gjithë ne, qëndroj me krenari dhe nder të madh teksa ju deshmoni kulmin e punës suaj të palodhshme, angazhimin për t’i shërbyer shtetit dhe per t’i mbrojtur qytetarët tanë. Është domosdoshmëri e Republikës së Kosovës të bëhet anëtare fuqi plotë në interpol. Jam e lumtur që 490 polic të rinj, 85 policë e police nga radhët e komuniteteve joshumicë”, ka thënë Osmani-Sadriu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti derisa ka uruar kadetet e rinj, ka thënë se si Qeveri janë të përkushtuar të adresojnë secilën sfidë të Policisë së Kosovës.
“Jam i nderuar e i lumtur që ndodhem sot këtu në këtë ngjarje të rëndësishme në diplomimin e 490 kadetëve. Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme të qytetarëve tanë, të parandalojë dhe zbulojë krimin e të trajtoj në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët… Sfida juaj është sfida jonë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës po bënë një punë të jashtëzakonshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha me rastin e diplomimit ka uruar gjithë kadetët e rinj për profesionin që kanë zgjedhur.
Ai ka kërkuar nga secili kadet që të zotojë me nder dhe krenari detyrat e Policisë së Kosovës.