Në një ceremoni të mbajtur të premten, 279 kadetë të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës kanë diplomuar, duke u bërë pjesë e re e forcës policore në vend.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, tha se betimi i kadetëve është një zotim për të vepruar me integritet dhe në shërbim të interesit të vendit.
“Kjo uniformë dhe ky institucion nuk janë vetëm zbatues të ligjit, por edhe përfaqësues të vlerave të disiplinës, punës, integritetit dhe atdhedashurisë. Këta kadetë – 261 shqiptarë, 11 serbë, 4 boshnjakë, 2 egjiptianë dhe 2 turq – i bashkon një mision dhe qëllime të përbashkëta,” deklaroi Bislimi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, foli për sfidat që kanë përballuar kadetët gjatë procesit të trajnimit.
“Të gjitha gjeneratat, përfshirë këtë të fundit, kanë kaluar nëpër sfida të ndryshme për të arritur në këtë ditë historike. Por falë përkushtimit dhe disiplinës, ata e kanë finalizuar me sukses trajnimin e tyre. Tani, detyra e tyre është zbatimi i ligjit në praktikë,” tha Kelani.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se Policia e Kosovës jo vetëm që gëzon besimin më të lartë qytetar, por është edhe një shembull i partneritetit dhe i efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bëri të ditur se për këtë gjeneratë kanë aplikuar mbi 7 mijë qytetarë, çka sipas tij tregon besimin e qytetarëve ndaj këtij institucioni.