Politika e Milorad Dodik, e cila ka marrë kritika më të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, mund ta çojë regjimin e Banja Lukës drejt falimentimit të plotë.
E gjithë kjo mund të lexohet nga deklaratat e fundit të diplomatëve të huaj, por edhe nga personat përgjegjës të institucioneve financiare ndërkombëtare. Në vetëm një ditë mbërritën dy mesazhe që sugjeronin një skenar të tillë.
Së pari, në fund të vizitës së tij në Bosnje dhe Hercegovinë, i dërguari special i presidentit amerikan Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi sanksione ndaj zyrtarëve në Bosnjë, në radhë të parë, natyrisht për Milorad Dodik, përcjell Klix.
“Ne folëm për sanksionet dhe sanksionet janë në tryezë. Dhe jo vetëm sanksionet, ka mjete të tjera ekonomike që mund të zbatohen jo vetëm ndaj liderëve që kryejnë aktivitete antiDejton, por edhe ndaj atyre që i mbështesin, ndaj kompanive që i ndihmojnë”, deklaroi Escobar, duke treguar qartë gjendjen ekonomike.
Edhe më e mprehtë ishte Alina Iancu, drejtuese e departamentit të BeH në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Uashington.
Ajo tha se politika separatiste e ndjekur ose e shpallur nga autoritetet e Republika Serbe tashmë ka rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe financiar të BeH dhe nëse këto tendenca nuk ndalen, pasojat mund të jenë jashtëzakonisht të rënda si për shtetin ashtu edhe për subjektet.
“Tensionet politike pengojnë politikat dhe reformat makroekonomike, duke paraqitur një kërcënim për rimëkëmbjen dhe perspektivat e rritjes”, tha Iancu.
FMN është veçanërisht e shqetësuar rreth tërheqjes së mundshme të Republikës Serbe nga institucionet kryesore shtetërore, duke përfshirë Autoritetin e Taksave Indirekte të BeH (ITA).
“Mendimi ynë është se kostot ekonomike të tërheqjes (nga ITA) do të ishin të konsiderueshme, edhe për Republikën Serbe, sepse kjo do të çonte në një ulje të mbledhjes së taksave dhe mund të ndikonte në shërbimin e borxhit të jashtëm, si dhe në vlerësimin e kredisë së vendit”, tha Iancu.
Politika nga Banja Lluka, tashmë është e sigurt se shumë shpejt do të hyjë në fazën e “penalitetit” ndërkombëtar dhe subjekti i rraskapitur ekonomikisht, i cili prej vitesh po përballet me mungesën e likuiditetit, mund të përjetojë falimentimin e plotë.