UBT News

Diplomatët e BE-së kërkojnë rritjen e prodhimit të municionit për Ukrainën

Diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian paralajmëruan të hënën se duhet të gjenden mënyra për të ofruar shpejt mijëra predha artilerie për Ukrainën ose BE-ja do të duhet të përballet me mundësinë e humbjes së luftës kundër Rusisë.

Kjo deklaratë erdhi gjatë së hënës kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, bëri një vizitë të papritur në Ukrainë dhe përderisa po raportohet për pakësim të rezervave të municioneve në Evropë.

“Sot, çështja më e rëndësishme dhe urgjente për ushtrinë ukrainase është të ketë një fluks të vazhdueshëm municionesh”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përpara se të kryesonte një takim të ministrave të jashtëm të bllokut.“Nëse dështojmë në këtë, me të vërtetë, rezultati i luftës është në rrezik”.

Borrell tha se forcat ruse gjuajnë rreth 50 mijë fishekë artilerie çdo ditë dhe se furnizimet e Ukrainës duhet të ngrihen në të njëjtin nivel. Vlerësime të tjera sugjerojnë se Ukraina po gjuan 6 mijë deri në 7 mijë predha artilerie në ditë, rreth një e treta e totalit të Rusisë.

Borrell tha se diskutimi brenda BE-së do të përqendrohet në gjetjen e mënyrave për të bërë blerje të përbashkëta municionesh dhe përdorimin e një fondi të posaçëm të BE-së për të siguruar financim shtesë.

Exit mobile version