Një pjesë të fushës së fshatit Sllapuzhan të komunës së Suharekës është përfshirë nga një zjarr masiv.
Organizata Vullnetare Zjarrfikësit dhe Shpëtimit përmes një postimi në rrjetin social në Facebook tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 si dhe zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin pa dëme të mëdha.
“Rreth orës 13:00 përfshihen nga zjarri fushat në Sllapuzhan, intervenimi shpejt nga zjarrfikësit lokalizon zjarrin pa dëme të mëdha”, thuhet në postim.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se janë djegur disa livadhe, por nuk ka persona të lënduar.
“Iniciohet një rast në fshatin Sllapuzhan. Një zjarr ka kapluar një livadh të fshatit Sllapuzhan. Nuk ka të lënduar dhe s’ka dëme të mëdha. Zjarrfikësit kanë intervenuar menjëherë dhe Policia ende është në vendngjarje”, ka thënë Bytyqi.