UBT News

Digjen mijëra doza të vaksinës AstraZeneca në Malavi

Autoritetet shëndetësore në Malavi kanë djegur 19 mijë e 610 doza me afat të skaduar të vaksinës AstraZeneca, duke thënë se kjo do të rrisë besimin te njerëzit se vaksinat janë të sigurta. Ky është shteti i parë afrikan që publikisht e ndërmori këtë veprim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht u bëri thirrje vendeve të mos shkatërrojnë dozat e skaduara të vaksinës, por tani e ndryshoi këshillën. Vaksinimi antiCOVID në Malavi ka qenë në shkallë të ulët dhe punëtorët shëndetësorë po shpresojnë se me këtë veprim do të rrisin besimin te njerëzit.

Malavi, një shtet me popullsi rreth 18 milionë banorë, ka regjistruar 34 mijë e 232 raste pozitive me COVID-19 dhe 1 mijë e 153 raste të vdekjes.

Malavi pranoi 102 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga Unioni Afrikan më 26 mars dhe 80% e tyre janë shfrytëzuar. Por data e skadimit ishte 13 prilli, kështu që dozat e skaduara u larguan nga përdorimi.

Sekretari i Shëndetësisë i Malavit i tha BBC-së se fatkeqësisht iu desh t’i shkatërronin dozat e mbetura, por përfitimet i tejkalonin rreziqet.

“Kur filluan të qarkullonin lajmet se kemi vaksina me afat të skaduar, e kuptuam se njerëzit po hezitojnë të vijnë në spitale dhe të imunizohen. Nëse nuk i djegim, njerëzit do të mendojnë se ne do t’i përdorim vaksinat me afat të skaduar për t’i vaksinuar, dhe nëse nuk vijnë të vaksinohen, COVID-19 do t’i godasë”, deklaroi dr.Charles Mwansambo.

Ai shtoi se djegia e dozave “ishte vetëm formalitet”, meqë ato tashmë ishin shkatërruar.

Madje në rrjete sociale qarkullonte një fotografi e ministrit të Shëndetësisë, Khumbize Chiponda, duke e mbyllur dhomën ku u dogjën vaksinat.

Në rrugët e kryeqytetit Lilongwe, disa njerëz duken të brengosur rreth sigurisë së vaksinave.

“Unë doja të vaksinohem, por nuk jam e sigurt se nuk do të më japin vaksinën me afat të skaduar”, deklaroi Jack Chitete për BBC.

“Kam dëgjuar shumë storie të njerëzve rreth mpiksjes së gjakut dhe madje disa nga ta kanë vdekur pasi janë vaksinuar. A po gënjejnë këta njerëz? Nëse kjo është e vërteta, pse ne duhet t’i marrim të njëjtat vaksina?”, pyeti Mphatso Chipenda.

Megjithatë lidhja mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut nuk është dëshmuar ende, dhe ekspertët shëndetësorë thonë se rreziku nga COVID-19 është edhe më i lartë, andaj këshillojnë njerëzit të vaksinohen.

Ky nuk është shteti i vetëm që ka vaksina me afat të skaduar. OBSh fillimisht u kërkoi atyre që t’i mbanin vaksinat derisa të mund të përcaktonte nëse ato mund të përdoren akoma. Por tani thuhet se vaksinat e dërguara nga prodhuesi me një datë skadimi duhet të shkatërrohen.

“Ndonëse hedhja e vaksinave është për keqardhje për çdo program të vaksinimit, OBSh-ja rekomandon që vaksinat me afat të skaduar të hiqen nga zingjiri i shpërndarjes”, thuhet në një njoftim nga OBSh.

Vaksinat e tjera që janë aktualisht në përdorim kanë jetëgjatësi deri në 36 muaj. Sfida me vaksinat antiCOVID është se mund të përdoren më pak se një vit dhe nuk ka të dhëna thelbësore rreth efektivitetit të tyre pas periudhave të gjata./UBTNews

Exit mobile version