Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur qëllimshëm nga persona deri tani të panjohur mbrëmë në orët e pasnatës, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Lajmin e ka konfirmuar u.d. së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Rreth orës 13:40 dy vetura janë dëmtuar sipas informatave me koktej molotovi, policia është aty, sidoqoftë, policia është aty dhe jemi duke u marrë me rastin. Varësisht ku na dërgojnë njoftimet, atje shkojmë edhe ne. Njëherë për njëherë nuk kemi të arrestuar dhe nuk kemi të dyshuar, të lënduar nuk ka.. ju e dini që i kemi disa raste të zjarrvënies, janë duke u hetuar këto raste por deri tash nuk kemi të arrestuar për rastin e mbrëmshëm”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci tha se është në orët e hershme të mëngjesit ka marrë lajmin nga Policia e Kosovës lidhur me rastin.
“Si pasojë për momentin të panjohur kanë bërë djegien e dy veturave zyrtare në parkingun e komunës. Unë si kryetar komune e dënoj këtë akt dhe i lus institucionet e sigurisë e shtetit që sa më shpejt të arrestohen ata persona dhe të dalin para drejtësisë”, tha ai.
Ai nuk e di shkakun e këtij sulmi, por thotë se për momentin nuk kemi diçka më shumë të flasin, policia është duke hetuar rastin.
“Sigurt jemi për momentin tash e tre muaj që jemi këtu, deri sot në orët e hershme nuk ka ndodh një gjë e tillë, mirëpo ndodhin…ende nuk mundemi të japim diçka, do të thotë policia janë ata që sa më shpejt që është e mundur, do ta verifikojnë se çka ka ndodh dhe prej kujt ka ndodh”, duke thënë se ata nuk i frikëson ky akt dhe po vazhdojnë punën e tyre si çdo ditë tjetër”, tha ai.