Producenti dhe reperi, Sean “Diddy” Combs, po përballet me një padi të re për sulm seksual, vetëm pak ditë pasi autoritetet amerikane nisën një hetim tjetër lidhur me akuza të reja kundër tij.
Sipas padisë, një ish-aktor fëmijë pretendon se është sulmuar seksualisht nga Combs gjatë një feste në Hollywood Hills në vitin 2007, pasi ishte ftuar për të diskutuar mundësi karriere.
Paditësi pretendon se pasi mbetën vetëm, Combs kreu veprime të papërshtatshme seksuale ndaj tij. Pas incidentit, sipas dokumenteve gjyqësore, reperi i kishte premtuar mbështetje për projekte të ardhshme profesionale.
Përfaqësuesit e Combs i kanë mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të rreme dhe duke paralajmëruar se do t’i kundërshtojnë në gjykatë.
Padia e re vjen në një kohë kur Combs po vuan dënimin me burg për transportim të personave me qëllim prostitucioni. Ai ishte përballur edhe me akuza për trafikim qeniesh njerëzore dhe shantazh, por i kishte mohuar të gjitha pretendimet.
Ndërkohë, autoritetet në Los Anxhelos po shqyrtojnë edhe materiale të reja hetimore që lidhen me akuza të tjera për sulm seksual ndaj reperit./A.K/
