Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë tregojnë se gjatë gjashtë mujorit të vitit 2021, diaspora ka dërguar 117.5 milionë euro më shumë sesa viti 2020, shkruan Telegrafi.
Për këtë periudhë, në vendin tonë u sollën 552 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 434.5 milionë euro.
Vlera më e lartë brenda tremujorit e dërguar në drejtim të Kosovës ishte e muajit maj me 113.3 milionë euro.
Për sa i përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës.
Nga Gjermania kanë ardhur 39.5 për qind e dërgesave, ndjekur nga Zvicra me 17.3 për qind dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7 për qind.
Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se, 340.3 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.
Ndërsa, Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë janë dërguar 12.6 miliardë euro, përcjell Telegrafi.
Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është 18.5 për qind.
Shuma e remitencave të dërguara sipas viteve në Kosovë: 2008 – 858 milionë euro, 2009 – 865 milionë euro, 2010 – 825 milionë, 2011 – 814 milionë euro, 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro dhe 2020 – 1.8 miliard euro.
Për sa i përket ardhjes së mërgimtarëve, për dy javët e para të muajit gusht, duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në vendin tonë kanë ateruar 738 aeroplanë me gjithsej 216 mijë e 758 persona.
Ndërsa, gjatë tërë muajit korrik ishin realizuar 1,327 fluturime me 221,728 udhëtarë në ardhje dhe 118,477 në shkuarje.
Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.