Diaspora për shtatë muaj dërgoi në Kosovë 750 milionë euro, shifër kjo rekorde që nga paslufta. Këto dërgesa për Lirim Krasniqi nga “Germin”, janë impakt i jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës, duke marrë për bazë edhe pandeminë dhe humbjet e bizneseve.
“Ne dje kemi publikuar një grafikë lidhur me remitencat për këtë vit, respektivisht deri në muajin gusht, dhe ajo që kemi vërejt është se kemi një numër të dërgesave rekord nga diaspora krahasuar që nga vitet e pasluftës, e flasim për periudhën janar-gusht një shifër prej 750 milionë euro. Ky është një impakt i jashtëzakonshëm për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh edhe gjendjen pandemike dhe humbjet e bizneseve. Këto janë vetëm dërgesat që kanë ardhur nga jashtë, pa përmendur këtu edhe qëndrimin e tyre këtu në vend dhe shpenzimet që kanë bërë”, theksoi tutje ai.
Sipas tij, krejt kjo ndihmon në ruajtjen e paqes sociale, sepse shumë familje burimin e kanë nga remitancat.
“Kjo e ndihmon këtë ruajtjen e paqes sociale, sepse shumë familje në Kosovë e kanë burimin nga remitancat, por marrë në përgjithësi nuk është që ka një rrjedhje të parasë përmes konsumit të përditshëm”, deklaroi Krasniqi.
Sa i përket benefiteve më shumë në konsum se në investime nga këto remitenca, Krasniqi thotë se duhet të ketë një strategji shtetërore që të rregulloj këtë proces.
“Duhet të ketë një strategji apo politikë shtetërore, dhe që të tërhiqen investime. Por gjithsesi ka instrumente të tilla që mund të kenë impakt më të madh ne ekonominë e Kosovës”, shtoi ai.
Rritja e konsumit me ardhjen e mërgatës ka kontribuar në rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2021, thuhet në raportin “Konkurrenca dhe rimëkëmbja pas pandemisë COVID-19”, të prezantuar nga Banka Botërore.
Sipas raportit, deri në fund të këtij viti, kjo rritje do të jetë 7.1 për qind, kundrejt një tkurrje prej 5.3 për qind që ishte vitin e kaluar.