Deputeti i PDK, Xhavit Haliti tha për Euronews Albania se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të rinisë nga e para sa herë ndërron një kryeministër apo qeveri, por duhet të fillojë aty ku e kanë lënë të tjerët.
Sipas tij, ende në Kosovë është arritur të krijohen politika shtetërore për çështje të caktuara gjë që sipas tij po e dëmton dialogun.
Z. Haliti ritheksoi se problemet mund të zgjidhen vetëm me angazhimin e BE dhe SHBA.
Teksa nënvijëzoi se Kosova e ka një qëndrim të prerë lidhur me çështjen e pavarësisë dhe kufijve të cilat janë çështje të panegociueshme, z. Haliti tha se lidhur me çështje të tjera që mbajnë peng bisedimet, siç është ai për ‘Asociacionin’ e komunave serbe, mund të bëhen rishikime në mënyrë që të jenë të pranueshme për të dyja palët.
“Kosova deklarativisht e ka një qëndrim, që çështja e kufijve nuk mund të negociohet, për të tjerat kemi disa marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara në Bruksel dhe Vjenë mes Kosovës dhe Serbisë, një pjesë e të cilave nuk janë zbatuar nga asnjëra palë. Por, as neve as Serbinë s’e pengon të bisedojë për të pagjeturit. Çështje e që na ka krijuar pengesë është ‘Asociacioni’, problem që ka shkuar edhe në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë 17 shkelje të Kushtetutës në atë marrëveshje që do të duhej të përmirësohet, por ‘Asociacioni’ parashihet edhe në dokumentin e Ahtisarit.
Nëse këto obligime janë të Kosovës duhet një modifikim i kësaj marrëveshjeje që problemi të ndryshojë mbi bazën e gjetjeve të Kushtetueses”, tha z. Haliti.