UBT News

Dialogu Kosovë-Serbi, Stano: Javën e ardhshme takimi i kryenegociatorëve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë javën e ardhshme në nivel të kryenegociatorëve, në Bruksel.

Ai ka thënë se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar nga ndërmjetësuesi i BE-së për të çuar përpara gjithçka, për të cilat palët janë pajtuar në Ohër.

“Dua të them që dialogu vazhdon, dialogu si i tillë vazhdon dhe do të ketë takime të tjera të nivelit të lartë. Por, përsëri, ne i shpallim ato të përshtatshme në këtë fazë, dhe mund të ndaj me ju se javën e ardhshme do të jetë në Bruksel takimi i kryenegociatorëve të të dyja palëve, të cilët u ftuan nga ndërmjetësuesi i BE-së të vijnë në Bruksel për të çuar përpara gjithçka që u ra dakord në Ohër dhe të fillojë të bëjë hapat e parë drejt zbatimit”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se janë të kënaqur të shohin se dialogu Kosovë-Serbi po bëhet i njohur në rajon.

Stano ka theksuar se po punojnë në drejtimin që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë në zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së arritur në Ohër.

“Kemi kënaqësinë të shohim se dialogu po bëhet i njohur në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrojnë mundësinë për të qenë nikoqir të tij. Por, le të vazhdojmë hap pas hapi, dua të them se dialogu është i bazuar në Bruksel dhe ne arritëm një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, me marrëveshjen mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, ku u pajtuan edhe me marrëveshjen edhe me aneksin. Pra, tani puna është në zbatim. Çfarë është bërë? Unë mendoj se ishte një fushë shumë e hapur për të ndjekur atë që po vijonte. Aty ishte FAC, i cili po informonte ministrat e jashtëm, partnerët e BE-së. Ishte Këshilli Evropian, ku liderët e BE-së i miratuan këto dhe përsëritën dhe theksuan se të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e shpejtë në mirëbesim të angazhimeve të marra. Pra, kjo është ajo për të cilën ne po punojmë. Ne filluam nga ana jonë, punën institucionale për të funksionalizuar, hapat e parë, do të thotë fillimi i përshtatjes së qëndrimit të përbashkët të BE-së kur është fjala për kapitullin 35, dhe hapat përkatës edhe nga ana e Kosovës”, është shprehur Stano.

Kryenegociator i Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi është Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndryshe, më 18 mars 2023, Kosova dhe Serbia janë takuar në Ohër, ku janë pajtuar për zbatimin e ankesit të marrëveshjes sipas planit evropian. Por, kjo marrëveshje përveç dakordimit nuk është nënshkruar pas refuzimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Exit mobile version