Rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë para fundit të qershorit, tha Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.
“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropianë. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.
Kurti po qëndron në Bruksel në një vizitë dyditore, ku po zhvillon takime me drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së.
*Ky artikull do të së shpejti