UBT News

Dialogu Kosovë-Serbi, pesë ndërkombëtarë të premten në Prishtinë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, sot ka thënë se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak këtë javë do të udhëtojë për në rajon.

Ai ka bërë të ditur se Lajçak do të vijë në Kosovë të premten, me ç’rast do të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

Miroslav Lajçak gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi do të shoqërohet nga këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të presidentit francez, (Emmanuel Bonnin), kancelarit gjerman, (Jens Plettnerin) dhe kryeministrit italian, si dhe nga Zëvendësndihmës Sekretari amerikan, Gabriel Escobar.

“Kjo është në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të çuar përpara dialogun e lehtësuar nga BE-ja në emër të përfaqësuesit të lartë Borrell. Kështu, Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, këtë të premte do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë. Në Prishtinë ai do të takohet me kryeministrin Kurti dhe më pas në Beograd do të takohet me presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe në këtë vizitë përfaqësuesi special i BE-së do të shoqërohet nga këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të presidentit francez, kancelarit gjerman, dhe kryeministrit italian, si dhe Zëvendësndihmës Sekretari amerikan Escobar”, është shprehur Stano.

Ndryshe, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot në Davos të Zvicrës ka zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti. Lajçak ka bërë të ditur se me Kurtin kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe çështjet aktuale.

Exit mobile version