Këtë artikull sot e fillojmë me pyetjen interesante; Përse dhurojmë lule dhe cila është domethënia e saj?
Njerëzimi i ka përdorur lulet për të komunikuar për qindra vite me radhë, në gojëdhënat e grekëve, romakëve, egjiptianëve dhe kinezëve të lashtë gjenden shpjegime dhe referenca për mesazhet që përcjellin lulet. Në epokën Viktoriane të Anglisë (1837-1901) këtyre mesazheve dhe komunikimit nëpërmjet luleve, i’u dha rëndësia e munguar.
Gjuha e luleve njihet si Floriografi dhe u njoh si një mënyrë komunikimi në një kohë kur njerëzit nuk e kishin aq të lehtë dhe jo aq të mundur për të shprehur mendimet e tyre të brendshme, ndjenjat e dashurisë, simpatisë, keqardhjes dhe vlerësimit.
Le t’i hedhim një sy traditave të ndryshme të dhurimit të luleve në botë, të cilat do ju ndihmojnë që për festa të bëni dhuratën e duhur.
Nuk dhurohen dhe nuk mbahen në shtëpi lule artificiale, sado imitim i përsosur i luleve natyrale të jenë. Është diçka e papëlqyeshme, me pak përpjekje dhe fantazi, mund të ofrohen lule fushe ose të rralla, për të mos blerë vazhdimisht të njëjtët pesë karafilat, që janë bërë banalë.
Duhen shmangur lulet të mëdha si gladiolat, pasi mund të mos pëlqehen prej atyre që u’a dhurojmë dhe transportohen me vështirësi. Lulet e tilla dërgohen me anë të një komisionari. Që të gjitha lulet janë të bukura, por një njeri delikat parapëlqen lule delikate, si vjollcat, margaritar etj.
Lulet jepen pa ambalazhim me të cilin i kemi blerë, me përjashtim të rastit kur ky është “shumë i bukur”. Ambalazhin mund ta lëmë kur është menduar posaçërisht për të nxjerrë në pah një motiv lulesh. Tek ne, dhurohen lule me numër tek.
Ajo që e merr dhuratën, e plotëson buqetën (duke u bërë çift), kur një çift shkon për vizitë diku, është zotëria ai që i’a ofron lulet zonjës së shtëpisë dhe nuk refuzohen në asnjë situatë. Mos imitoni gjestin e shëmtuar të aktorëve të telenovelave që refuzojnë një buqetë të mrekullueshme me lule. /UBT News/