Papa Françesku bëri thirrje të përsëritura për paqe gjatë udhëtimit të tij historik në Republikën Demokratike të Kongos këtë javë, por luftimet në lindje nuk pushuan.
Ndalja e dhunës ishte një temë dominuese e vizitës së Papës në vendin më të madh katolik të Afrikës, ku ai mbërriti të martën.
Që nga fundi i vitit 2021, grupi rebel M23 ka kapur një pjesë të territorit në rajonin e trazuar dhe ka detyruar qindra mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në një meshë të madhe në mjedis të hapur në kryeqytetin Kinshasa, për të cilën organizatorët thanë se tërhoqi një milion njerëz, Françesku u bëri thirrje besimtarëve që të “mos dorëzohen para ndasive”.
86-vjeçari më vonë takoi viktimat e konfliktit, të cilët treguan tmerret e gjymtimit dhe përdhunimit. Ai dënoi “dhunën çnjerëzore” dhe bëri thirrje për mëshirë nga Zoti.
Lufta midis M23 dhe forcave shtetërore vazhdoi gjatë vizitës së Papës, ndërsa sulmet nga grupe të tjera të armatosura morën edhe jetën e civilëve në lindje./UBTNews/