Po shkojnë duke u shtuar rastet e dhunës në familje. Në raportet ditore të Policisë, këto janë rastet që dominojnë.
I tillë është edhe raporti i ditës së sotme.
Në Pejë, është arrestuar një person, nën dyshimin se ka shkaktuar dhunë fizike ndaj viktimës femër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po në Pejë, është raportuar se i dyshuari mashkull i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike duke e kanosur viktimën femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori , rasti nën hetime.
Rasti i tretë ka ndodhur në Deçan. “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për kryerje të veprës së lartcekur. Pas intervistimit, të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.
Në një rast tjetër, në Graqanicë është raportuar për përleshje fizike dhe verbale mes dy të dyshuarve, një femre dhe një mashkulli. Palët janë shoqëruar për intervistim dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe një rast tjetër ka ndodhur në Ferizaj, ku është raportuar për një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar paraprakisht kishte sulmuar fizikisht viktimën femër.
“Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, kurse dy të dyshuar tjerë janë liruar në procedurë të rregullt”, thekson Policia.
Dy raste të tjera kanë ndodhur në Mitrovicë. Në rastin e parë, i dyshuari mashkull ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në të dytin, në Mitrovicën e Veriut, është raportuar se i dyshuari mashkull ka shqetësuar viktimën femër. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
