Mbi 900 raste të dhunës në familje janë raportuar nga janari deri në prill të këtij viti në Policinë e Kosovës, ku prej tyre viktima femra kanë qenë 770. Kështu u tha në komisionin për të Drejtat e Njeriut ku u diskutua lidhur me rastet e dhunës në familje me përfaqësuesit nga Policia e Kosovës.
Drejtoresha e Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, Zylfije Dema tha se janë aktivizuar 28 dhoma mike ku merren dëshmitë e viktimave në Policinë e Kosovës.
“Raportimi i rasteve të dhunës në familje janar- prill 2024 numri i rasteve është 927, numri i viktimave 989, viktima femra 770, viktima meshkuj 219, persona të ndalur 48 mijë e 341 urdhra mbrojtës të lëshuar nga gjykatat, 447 urdhra për mbrojte të përkohshme emergjent të shqiptuar nga policia”, tha ajo.
Ajo u pyet edhe për shkaktarët e dhunës në familje, për çka tha se 104 raste janë për tradita të vjetra, 412 për shkaqe xhelozie dhe 493 për shkak të marrëdhënieve të çrregullta brenda familjes.