Viteve të fundit, dhuna në baza gjinore po paraqet një kërcënim të madh të sigurisë për gratë dhe vajzat në Kosovë.
Profesori i shkencave politike dhe juridike në UBT, Xhavit Shala thotë se Kosova në aspektin ligjor sa i përket parandalimit të dhunës në baza gjinore është në nivelin e duhur, megjithatë dhuna është në rritje.
“Në aspektin ligjor, çështja është e trajtuar, por edhe Kosova është në nivelin e duhur. Ajo që mund të themi është se realisht edhe pse ekzistojnë këto norma, këto sanksione ose këto akte, jeta e përditshme tregon ose statistikat tregojnë që dhuna është çdoherë shkon dmth ka dhunë dhe se dhuna është në rritje”, deklaroi Shala për UBTNews.
Ani pse aspekti ligjor konsiderohet përkatës, Shala sheh një problem tjetër.
“Në aspektin legjislativ kemi ose akteve dhe politikave janë të frymës perëndimore, por realiteti, mentaliteti akoma mbizotëron sipas kulturave të vjetra ose të disa shoqërive që vijnë nga lindja. Dhe kjo po kontribuon që dhuna me qenë e vazhdueshme”, deklaroi ai.
Por cilat efektet psikologjike mund t’iu shfaqen viktimave që janë pre e dhunës? Profesoresha e psikologjisë Violeta Zefi thotë se ato janë kryesisht në apektin emocional.
“Atëherë pasojat janë të formave të ndryshme, por pasojat serioze prekin aspektin psikologjik dhe emocional. Në përgjithësi gratë të cilat i janë nënshtruar akteve të dhunës qoftë fizike dhe psikologjike, kanë një ndjenjë faji, kanë një ndjenjë turpi. Zakonisht kanë tendencë që të izolohen apo vetizolohen, nuk e kanë guximin që gjithmonë që të shprehin apo të tregojnë për aktet e tyre të dhunës të cilat ato po i përjetojnë”, deklaroi Zefi.
Por këto nuk janë efektet e vetme.
“Gratë kur janë duke kaluar në çfarëdo lloje të formave të dhunës, e sidomos atyre që janë në një kohë të gjatë, kanë probleme të natyrave të shëndetit mendor, përkatësisht probleme të depresionit apo çregullime të ankthit, stresi postraumatik janë si efekte të cilat vijnë si rezultat i përjetimit të dhunës”, shtoi ajo.
Sipas organizatave të ndryshme që merren me trajtimin e këtyre rasteve, shumë gra tërheqin ankesat e tyre për dhunën në bazë gjinore për shkak të ndërhyrjeve të palëve të treta, shpesh nën presionin e familjes./UBTNews/
Realizoi: Dea Berisha