Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se Komuna e Vitisë është një prej komunave me shembullin më të mirë se si luftohen dukuritë devijante dhe kriminale.
Osmani pas takimit me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, bashkëpunëtorët e tij dhe përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në këtë pjesë të Kosovës, ka thënë se kanë diskutuar për projektet që ata i kanë shtyrë përpara, sukseset e komunës por edhe për sfidat me të cilat ballafaqohen.
“Është shumë inkurajuese të shohim se si Vitia është një prej komunave me shembullin më të mirë se si luftohen dukuritë devijante, kriminale. Si shembull Vitia në krahasim me vitin e kaluar, ka rënie 100 për qind të dhunës mbi baza gjinore për shkak të ndërmarrjes së masave në kontekst të luftimit të kësaj dukurie të shëmtuar e cila po e njollos shoqërinë tonë. Kjo është një prej çështjeve të diskutuara. Por është shndërruar edhe në shembull të bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtar sa i përket nivelit komunal. Është një komunë me mbi 30 memorandume bashkëpunimi”, tha ajo.
Kurse, kryetari i kësaj komune, Sokol Halitin tha e ka njoftuar për zhvillimet në komunë, problematikat dhe sfidat që janë komunale dhe shtetërore.
“Unë kam arritur sado pak që në të periudhë të takimit bashkë me bashkëpunëtorët ta njoftoj për rrjedhat, zhvillimet në komunën tonë, problematikat, sfidat që i kemi, që janë komunale dhe shtetërore. Në disa aspekte e kalojnë aspektin administrativ të komunës dhe kompetencst e saj por edhe për pjesët e tjera. Pritja e mërgatës, sepse Vitia ka një fluks të madh të mërgimtareve këtë muaj”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë edhe në festën e Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë./UBTNews/