Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mosrregullimin e IP Adresave andaj ka kërkuar nga institucionet qendrore dhe ART-ja mos të lejojë përdorimin e IP-së së Serbisë në Kosovë, pasiqë të njëjtat sipas tyre janë duke e dëmtuar në vazhdimësi vendin me cenim të sovranitetit dhe biznesin me miliona euro në vit.
“Duke pas parasysh që aktualisht Kosova nuk ka të drejtë të posedimit të kodit të internetit (ccTLD), kërkesë e DHTIK-së tash e sa kohë ishte dhe mbetet rregullimi i problemit të provajderëve dhe eliminimi i përdorimit të IP adresave nga Serbia dhe këto të fundit të zëvendësohen menjëherë me ato të Shqipërisë, në mënyrë që reklamat në ueb faqe të dalin në gjuhën shqipe. Për njohuri sistemi i ri i marketingut botëror vendos reklama në ueb faqet dhe portalet, në bazë të IP-së së çdo shteti”, thuhet në komunikatën e lëshuar të DHTIK.
Sipas DHTIK-së, mosrregullimi i IP Adresave edhe pse i deleguar tash e sa kohë, edhe më tutje mbetet problem për bizneset, i cili është duke u ballafaquar me mos rregullimin e tyre.
“Dhoma e Tregtisë, konsideron që me këtë rast, përveç humbjeve të cilat po iu shkaktohen bizneseve, problem tjetër mbetet edhe dëmtimi i imazhit të vendit tonë në aspektin nacional, kjo sepse në vend të paraqitjes së shtetit të Kosovës, kur kërkojmë në linkun ‘What’s my IP address (https://ëhatismyipaddress.com/)’, del që Kosova është në Serbi. DHTIK ka dërguar disa shkresa dhe ka takuar edhe përfaqësuesit e ARKEP, për të diskutuar këtë problematikë por nuk po sheh zgjidhje nga kjo e fundit”, thuhet tutje në komunikatë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, ri kërkon nga kryeministri, Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse që të vendos rregulla për përdorimin e IP adresave.
“Duke pasur parasysh që ne si Dhomë jemi duke pranuar vazhdimisht ankesa nga qytetarët dhe nga biznesi i mediave, tek të cilat në fund të faqeve po shfaqen reklama në gjuhen serbe, ku me këtë rast në vend që të ofrohen reklama dhe oferta në gjuhën shqipe nga bizneset vendore, qytetarëve dhe bizneseve po i ofrohen ato nga një shtet i huaj, që është kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.