UBT News

Dhoma e Tregtisë takohet me Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë

Mungesa e atashehëve ekonomikë, problemet e qytetarëve dhe bizneseve me realizimin e pagesave jashtë vendit, prezantimi i emërtimeve të qyteteve të Kosovës në Google Maps në gjuhën shqipe, krijimi i kushteve dhe ofertave për investitorë si dhe lobimi që AVUK të jetë pjesë e Organizatës për Shëndetin e Kafshëve, ishin disa ndër çështjet e diskutimit në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi.

Disa nga çështjet që Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë përmendi gjatë takimit ishte edhe fakti që të lobohet që Kosova të anëtarësohet në Organizatën për Shëndetin e Kafshëve me seli në Paris, e cila do të mundësonte realizimin e eksportit të produkteve me origjinë shtazore dhe pamundësia e të cilës po dëmton dukshëm bizneset e këtij sektori.

Gjithashtu Dhoma e Tregtisë shtoi që është shumë e nevojshme të përcaktohen atashehët ekonomik në Ambasadat tona si dhe ambasadat të lobojnë më tepër për bizneset.

Ndërsa Abazi falënderoi për takimin dhe konsideroi që së bashku mund të lobohet për përmirësim të kushteve të të bërit biznes në vend.

Abazi shprehu gatishmërinë dhe përkrahjen e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë për shtyrje para të çdo çështje të adresuar në takim, e që është pjesë e fushë veprimtarisë së komisionit.

Exit mobile version