Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës, që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit. Rezoluta u miratua me 215 vota për dhe 208 kundër më 3 qershor, ku katër republikanë iu bashkuan të gjithë demokratëve në mbështetje të saj.
Masa, e prezantuar nga përfaqësuesi demokrat Gregory Meeks nga Nju Jorku, udhëzon presidentin Trump që të tërheqë forcat e armatosura amerikane nga armiqësitë me Iranin, përveç nëse Kongresi shpall zyrtarisht luftë ose autorizon përdorimin e forcës.
Rezoluta tani kalon në Senat, ku ligjvënësit po shqyrtojnë një dokument të veçantë për kompetencat e luftës. Edhe nëse miratohet nga të dy dhomat e Kongresit, ajo pritet të sfidohet nga presidenti Trump dhe konsiderohet kryesisht simbolike, pasi nuk ka fuqi detyruese ligjore.
Votimi është cilësuar si shenjë e rritjes së kundërshtimit në Kongres ndaj konfliktit me Iranin, i cili ka zgjatur për më shumë se tre muaj dhe ka ngritur shqetësime për ndikimet ekonomike dhe gjeopolitike.
Gjatë debatit, Meeks tha se fushata ushtarake nuk kishte arritur objektivat e saj dhe kishte dëmtuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e çështjes së programit bërthamor iranian, duke shtuar se ajo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kostos për qytetarët amerikanë.
Ndërkohë, drejtuesit republikanë theksuan se operacionet nuk përbëjnë një luftë të plotë që kërkon autorizim nga Kongresi dhe paralajmëruan se kufizimi i presidentit mund të dobësojë pozicionin amerikan dhe të forcojë Iranin. Megjithatë, disa republikanë iu bashkuan demokratëve në mbështetje të rezolutës, duke sinjalizuar ndarje brenda partisë.
Disa orë para votimit, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se operacionet amerikane ndaj Iranit kanë përfunduar, duke thënë se fushata ushtarake “Tërbimi Epik” është mbyllur dhe se SHBA-ja ka arritur objektivat e saj.
Rubio shtoi se administrata amerikane nuk synon ndryshimin e regjimit në Teheran, por përqendrohet në kufizimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, veçanërisht në raketa dhe dronë. Ai theksoi gjithashtu se çdo lehtësim i sanksioneve ndaj Iranit do të varet nga lëshimet në programin bërthamor, përfshirë heqjen dorë nga pasurimi i uraniumit.
Sipas tij, diskutimet mes SHBA-së dhe Iranit po vazhdojnë, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare mbi kushtet e negociatave.
Administrata amerikane ka argumentuar se konflikti ka përfunduar pas një armëpushimi të urdhëruar në fillim të prillit, ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar rezolutën si përpjekje jokushtetuese për të kufizuar autoritetin ekzekutiv.
Senati ende nuk ka caktuar datën për votimin përfundimtar të rezolutës së veçantë mbi kompetencat e luftës.
Burimi: Evropa e Lirë
