Dhjetëra njerëz u vranë të dielën në përleshjet mes tifozëve në një ndeshje futbolli në N’Zerekore, qyteti i dytë më i madh i Guinesë, raportuan mediat lokale.
Ndeshja midis ekipeve të Guinesë N’zerekore dhe Laba, e cila u ndoq nga rreth 1,000 njerëz, u mbajt si pjesë e një turneu për nder të Presidentit Mamadi Dumboua, i cili mori pushtetin në një grusht shteti në shtator 2021, raportoi faqja lokale e lajmeve MediaGuinee.
Kryeministri Mamadou Ouri Bah tha se rrëmuja në lojë çoi në viktima të shumta dhe bëri thirrje për qetësimin e situatës. Mediat lokale raportuan se policia hodhi gaz lotsjellës pasi mbështetësit e ekipit mysafir Labe hodhën gurë drejt arbitrit. Deri më tani nuk janë dhënë të dhëna zyrtare për viktimat, raporton BBC.
“Gjithçka nisi me një vendim kontestues të arbitrit. Më pas tifozët hynë në fushë”, tha një nga dëshmitarët okularë.
Videot dhe fotot në mediat sociale treguan skena kaotike jashtë stadiumit, me një numër të madh njerëzish që përpiqeshin të hidheshin mbi mure dhe trupa të shumtë të shtrirë në tokë.
“Spitali ka trupa të rreshtuar sa të shohë syri. Të tjerët janë të shtrirë në dysheme në korridore. Morgu është plot”, tha një mjek, duke folur në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste për mediat.